E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX: Hetimetnë MTPT, vetëm fillimi

BRUKSEL- Shefi i misionit të EULEX-it, Iv de Kermabo, tha sot përpara Parlamentit Evropian, se EULEX-i është i vendosur që t’i hetojë rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë, pa marrë parasysh se për kë është fjala dhe pa lejuar ndërhyrje politike.

Kermabo nënvizoi se hetimet në Ministrinë e Transportit janë vetëm fillimi dhe se këto hetime do të shkojnë deri në fund.
Shefi i misionit të EULEX-it u ankua në Bruksel edhe për faktin se shtetet anëtare nuk po kontribuojnë sa duhet me dërgimin e ekspertëve të tyre, sidomos sa u përket prokurorëve dhe gjykatësve, por tha se misioni i EULEX-it, sidoqoftë, është mjaft funksional dhe se po funksionon në tërë territorin e Kosovës.

Ndërkaq deputetja Ulrike Lunacek, që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, theksoi se është mirë që EULEX-i ka filluar më në fund të tregojë rezultate në punën e tij dhe shprehu bindjen se kjo do të vazhdojë deri në fund dhe që EULEX-i, siç u shpreh ajo, nuk do të lejojë ndërhyrje politike nga askush.

Këto hetime duhet të shkojnë deri në fund, sepse populli pret shumë nga EULEX-i dhe, siç tha ajo, kjo u dëshmua dhe nga qytetarët, kur ajo kishte vizituar Kosovën.

“Kudo që shkoja, shihja në Kosovë një mbështetje për punën e EULEX-it, sepse edhe kosovarët duan që shoqëria e tyre të funksionojë sipas normave evropiane”- tha Lunacek.
(e.n/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›