Duoja nga Gjermania, koncert klasik në Tiranë
Violinisti me origjinë nga Berati, Leonidha Qose dhe Andre Jusou (Andrej Jussow) do të japin pasditen e sotme një koncert me muzikë klasike të kompozitorëve të njohur si Bethoven, Prokofiev, Ysaÿe, Debusi etj. Programi i kësaj mbrëmjeje, që do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, përmban pjesë të ndryshme duke nisur që nga “Allegro con brio”, “Rondo Allegro”, te “Moderato”, “Andante”, “Allegro vivo” etj. Violinisti Leonidha Qose mësimet e para i ka marrë që në moshën shtatëvjeçare në shkollën “Ajet Xhindole” të Beratit, për të vijuar më tej studimet në Liceun Artistik dhe në Konservatorin e Larsisës në Greqi. Nga Greqia, Leonidha do të ndjekë studimet në Konservatorin e Karsluhes në Gjermani, ku sërish nuk do të mungojnë notat e shkëlqyera dhe çmimet. Prej 2004-s violinisti nga Berati, veç të tjerash, jep mësim në një nga universitetet e Karsluhes. Ndërkaq, kolegu i tij, Andre Jusou, ka një karrierë të pasur me çmime të ndryshme të fituara në mjaft konkurse pianistike të zhvilluara në Gjermani (Hamburg, Këln, Darmstad) dhe në Francë (Paris). Gjatë pesë viteve të fundit ai numëron me dhjetëra turne të zhvilluara në vende me traditë të hershme muzikore si Austria, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia dhe Izraeli.
4 Dhjetor 2008