Nis gara për bustin e Petro Markos
Për të përjetësuar figurën e shkrimtarit Petro Marko, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë ka shpallur këto ditë të hapur konkursin kombëtar për realizimin në skulpturë të bustit kushtuar Petro Markos, figurë e njohur e letërsisë dhe kulturës shqiptare, i cili do të vendoset në fshatin Dhërmi. Gjithashtu, zyra e shtypit pranë Galerisë Kombëtare bën të njohura edhe kushtet për pjesëmarrësit. Në këtë garë kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë artistët dhe arkitektët shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe punojnë. Arkitekti përzgjidhet nga artisti për të bashkëpunuar në realizimin e maketit. Boceti mund të krijohet nga një artist, ose nga një grup artistësh, por nuk duhet që ai të jetë ekspozuar më parë në veprimtari të tjera.
Boceti përkatës duhet të jetë një shprehje artistike figurative me destinacion përjetësimin e figurës dhe personalitetin psikologjik të shkrimtarit Petro Marko. Një tjetër kusht është që boceti të shoqërohet me maketin përkatës të bazamentit dhe fotografi të strukturës arkitektonike të mjedisit të jashtëm ku do të vendoset busti. Ky bocet duhet të jetë në lartësinë 25-30 cm. Afati i fundit për dorëzimin e boceteve pranë GKA-së është data 9 shkurt 2009, kurse shpallja e fituesit do të bëhet më 14 shkurt.
Me përfundimin e konkursit dhe pas shpalljes së bocetit fitues, ndërmjet artistit dhe Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit do të lidhet një kontratë akt-marrëveshjeje për pagesën, kushtet dhe kohën e përfundimit të bustit. Ndërkaq, juria e konkursit do të jetë e përbërë nga 5 anëtarë, personalitete të fushës së artit dhe kulturës. Shuma që do të jetë në dispozicion të fituesit për bustin e Petro Markos është 1 900 000 lekë.
4 Dhjetor 2008