E Diel, 1 Nëntor 2026

Durda, lirimi me kusht transferohet në Elbasan

20/04/2005  TIRANË – Frederik Durda, dënuar me 18 vite burg për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të kokainës, kërkon nga gjykata lirim me kusht. Gjyqtari Altin Abdiu, pasi mësoi kërkesën e bërë nga Durda, e depozituar nga avokati Idajet Beqiri, e dërgoi për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Sipas gjyqtarit Abdiu, kërkesa e të dënuarit Frederik Durda duhet të shqyrtohet nga gjykata e Elbasanit, për faktin se vuajtja e dënimit prej tij bëhet në burgun e Peqinit, i cili është nën juridiksionin e rrethit gjyqësor Elbasan. Durda pretendon të dalë nga burgu me lirim me kusht, duke u shprehur se ka kryer një pjesë të dënimit dhe se është në gjendje të qëndrojë besnik, duke mos u futur më në botën e krimit. Disa javë më parë, gjykata e Tiranës i rrëzoi Durdës kërkesën për ulje dënimi. Ndërkohë, herë pas herë, ai ka bërë kërkesa për të mos qëndruar larg Spitalit të Burgut, me pretendimin se është në gjendje jo të mirë shëndetësore. Durda vazhdon të vuaj dënimin e marrë nga gjykata në burgun e Peqinit. Ka vetëm një muaj që është transferuar nga Burgu 302.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›