E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më të mirët e gjallë të albanologjisë

Me çmimin e më të mirëve të albanologjisë, që ka vlerë monetare 3 mijë euro, që kanë sjellë një vepër me kontribut madhor në zhvillimin e albanologjisë, në forcimin dhe rrezatimin e studimeve albanologjike, janë nderuar dje tre personalitete të gjallë: gjuhëtari Kolec Topalli për veprën themelore në shqip “Fonetika historike e gjuhës shqipe”; historiani Noel Malcolm për veprën themelore në gjuhë të huaj, “Kosova, një histori e shkurtër” dhe bashkautorët, arkeologu francez Pierre Cabanes dhe Faik Drini për veprën themelore kolektive, “Mbishkrimet e Butrintit”.

Ndërsa u propozua për një nderim të veçantë, me diplomën speciale, albanologu 88-vjeçar, Eric Hamp, i ardhur nga Amerika, por pak e njohur vepra e tij në qarqet e gjuhëtareve shqiptarë, ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse emri i tij dhe vepra, nuk ishin votuar me më shumë pikë. Edhe pse ky gjuhëtar njihet si një shkencëtar ekstra në botën akademike, që në këtë simpozium befasoi studiues e gjuhëtar për veçantinë e evoluimit të mendimit të tij, duke deklaruar përfundimisht se tani duhet besuar ilirishtja dhe lidhja e gjuhës shqipe me të. Për herë të parë është bërë e mundur njohja më nga afër me këta autorë, albanologë dhe të tjerë, që e çojnë numrin në 28 vepra themelore të albanologjisë, që u prezantuan në konferencën e Qendrës së Studimeve Albanologjike, që u mbajt në Tiranë prej datës 18-20 dhjetor.

Kosova një histori e shkurtër

Kjo vepër është një hulumtim origjinal dhe i gjerë, mbështetur në burime shqiptare, serbe, franceze, gjermane, angleze dhe italiane. Autori trajton historinë e Kosovës me seriozitet shkencor dhe realizëm, duke ndriçuar e rivlerësuar të vërtetën historike të deformuar nga mitet dhe trajtimi tendencioz i historiografisë serbe dhe sllave. Momenti i botimit përkon me kohën kur çështja e Kosovës u shtrua për zgjidhje.

***

Dr. Noel Robert Malcolm është historian dhe publicist anglez. U arsimua në Eton College doktoroi në Kembrixh. Punon në Oksford, në Fakultetin e Historisë. Është autor i monografive: “Bosnia: A short History” 1994, origins English Nonsense (1997), “Kosovo: A short histori” (1998) dhe disa vëllime me bashkautorësi

Fonetika historike e gjuhës shqipe

Vepra “Fonetika historike e gjuhës shqipe”, është një monografi me karakter sintetizuese, ku janë paraqitur rezultatet e punës së autorit për një periudhë prej 35 vjet studimesh, si dhe kontributet e gjuhëtarëve të tjerë nga shumë vende të botës, që nga gjysma e shekullit XIX e deri në ditët tona. Vepra ka teza të reja të autorit, që janë një kontribut i vlefshëm në historinë e gjuhës shqipe. Ajo u shërben studiuesve të historisë së gjuhës shqipe, ballkanologëve e indoevropianëve, romanistëve e helenistëve, si edhe studentëve universitarë, sidomos atyre që përgatiten për studime pasuniversitare.

***

Kolec Topalli merret prej afro 40 vjetësh me historinë e gjuhës shqipe. Ka botuar 12 monografi dhe më shumë se 100 tituj (artikuj e kumtesa), në 5 gjuhë të huaja. Pjesëmarrës në shumë simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ligjërues për historinë e gjuhës shqipe në universitete e qendra shkencore brenda e jashtë vendi. Ka punuar 12 vjet në Institutin e Gjuhësisë. Aktualisht punon në Qendrën e Studimeve Albanologjike. Mban grada shkencore “doktor i shkencave”, dhe “drejtues kërkimesh, profesor”. Është anëtar i Akademisë së Shkencave

Mbishkrimet në Butrint

“Mbishkrimet në Butrint” me autorë Pierre Cabanes dhe Faik Drinin, zbulon aspekte të shumta të historisë së një krahine si Kaonia. Dokumentacioni i tij bën të mundur që të përvijohet një tablo e jetës politike, sociale dhe ekonomike të kësaj krahine, shumë më e gjallë se ajo që njohim në hapësira të tjera gjeografike të botës antike. Studiues të antikitetit, studentë si dhe një rreth i gjerë të interesuarish do të gjejnë një mjet pune më shumë vlerë për të rindërtuar historinë e trevës më jugore të Shqipërisë, e përshkruar fare pak nga historianë të antikitetit.

***

Autorët: Prof. Pierre Cabanas, prof. Faik Dirni - Autorët e kësaj vepre janë arkeologë të shquar, që kanë punuar për dekada të tëra në këtë fushë studimesh. Pierre Cabanes është me kombësi franceze. Faik Drini punon prej vitesh në Institutin e Arkeologjisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›