Duro: Ky ekip i destinuar për trofe, të rinjtë premtojnë shumë
Më vjen mirë që shoh një Tiranë të fortë edhe ndaj rivalëve. Këtu të gjithë japin maksimumin, jemi një skuadër e denjë për titull
Klodian Duro dje ka bërë debutimin në kampionat me fanellën e Tiranës. Pas ndeshjes ai foli me superlativa për bardheblutë dhe i sheh pretendentë kryesorë në luftën për titull. Por Duro ka vlerësuar edhe lojën e të rinjve që, sipas tij, premtojnë shumë për të ardhmen. Besoj se ky futboll i duhet publikut. Mbi të gjitha jam shumë i kënaqur që ekipi tregoi karakterin e vet ndaj një rivali si Flamurtari.
Gjatë gjithë ndeshjes u vu re një shpirt i lartë gare, të gjithë dhamë maksimumin dhe në fund u shpërblyem me tri pikët. Është e vërtetë që Tirana këtë sezon u ka dhënë hapësira edhe lojtarëve të rinj. Të gjithë futbollistët, kur veshin fanellën e Tiranës, mobilizohen akoma më shumë. Ata marrin përgjegjësit e duhura dhe u përgjigjen kërkesave që kanë drejtuesit e ekipit.
Të rinjtë e Tiranës treguan karakter ndaj një ekipi si Flamurtari dhe u pa qartë tek Taku, Tushe, Karabeci e Morina. Më bëhet qejfi që Morina shënoi. Unë e kuptoj që për një sulmues ka rëndësi goli dhe ai shënoi. Më bëri përshtypje qysh në ndeshjen e së mërkurës së shkuar, kur shënoi katër gola me Himarën. Para ndeshjes me vlonjatët i thashë që të luante qetë, sepse do të shënonte dhe ajo ndodhi. Besoj se do rritet, çdo sulmues kur luan dhe gjen golin, e ka më të lehtë në ndeshjet pasardhëse.
Sa u përket duartrokitjeve të tifozëve të Tiranës, unë kam respekt të veçantë për ta ashtu si edhe ata për mua. Janë një pjesë e pandashme e kësaj skuadre, që gjithmonë e kanë mbështetur dhe presin shumë. Kjo Tiranë deri më tani ka bindur në të gjitha drejtimet, ka disiplinë në fushën e lojës dhe jam i bindur që do të rritemi akoma më shumë. Tiranën e shoh të destinuar për trofe, i përgëzoj të gjithë lojtarët për atë që dhanë në fushë dhe pa dyshim një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë.
Morina: Ky është vetëm fillimi, golin për familjen
Kjo që shkoi ishte java e sulmuesit 19-vjeçar të Tiranës, Mario Morina. Në mesjavë shënoi katër gola ndaj Himarës, ndërsa dje ka meritë të padiskutueshme, por shënoi edhe vetë. Jo vetëm kaq, por Mario Morina ishte një problem më vete për mbrojtjen kuqezi në sfidën e djeshme. Pas ndeshjes, në një prononcim që ka dhënë sulmuesi Mario Morina është ndier entuziast, ndërsa ka thënë: Më vjen mirë që shënova, pasi shpërbleva edhe besimin e drejtuesve.
Unë i dhashë sinjalin trajnerit Rubio qysh në mesjavë me katër golat që shënova në kupë ndaj Himarës. Gjithsesi, nuk me tremb stoli, unë sa herë që do të më kërkohet që të luaj, do të jap maksimumin për Tiranën. Kurse për sa i përket golit, ia dedikoj familjes sime. Më ka mbështetur shumë gjatë kësaj kohe, – tha ndër të tjera sulmuesi i bardhebluve, Mario Morina, autori i golit të dytë në ndeshjen e djeshme ndaj Flamurtarit.
