E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana mund Flamurtarin rival, merr komandën e kampionatit

Nga ERJON SALIU

Autogoli i Veliut dhe goli i Morinës i dhanë tri pikë kryeqytetasve, të cilët gdhihen në krye. Vlonjatët nuk dine te fitojne jashte

 TIRANA FLAMURTARI  2 0

Bardheblutë e kanë mundur më lehtë nga çe kishin menduar Flamurtarin në Qemal Stafa. Fillimisht një autogol i Veliut dhe më pas një gol i Morinës u ka dhënë tri pikë bardhebluve, që tashmë e shohin veten në krye të klasifikimit me nëntë pikë. Tirana dje e ka dominuar sfidën për hir të së vërtetës, madje mund të kishte shënuar edhe më tepër. I sukseshëm edhe debutimi i mesfushorit të kombëtares, Klodian Duro. Kurse vlonjatët dje nuk kanë qenë në ditë të mirë, madje sulmi i tyre vazhdon të mos bindë. Hysa dhe Brkiç rrallëherë e vizituan portën e Tiranës, ndërsa asnjëherë nuk ishin shqetësim serioz për gardianin Ilion Lika.

Pjesa e parë Të dyja skuadrat e nisën me ritëm ndeshjen, ndërkohë që u pa se trajneri Rubio kishte bërë ndryshime në 11-shen e parë. Në vend të Heplesit luante Taku nga e djathta, ndërkohe që Karabeci e nisi nga minuta e parë në qendër të mesfushës. Debutimin në kampionat e ka bërë edhe Klodian Duro, i cili na fund ka marrë edhe duartrokitjet e tifozëve bardheblu.

Ndërkohë që surpriza më e madhe ishte aktivizimi i sulmuesit Morina në vend të Balës së dëmtuar. Dhe 19-vjeçari ia ka shpërblyer besimin trajnerit Rubio, madje ka shënuar edhe golin e dytë dhe ka pasur meritë të padiskutueshme te goli i pare, por ka qenë një rrezik për mbrojtjen mike.

Tirana, pasi e ka parë veten në avantazh, ka ditur që të administrojë lojën, ndërsa ka krijuar edhe raste të tjera me anë të Duros dhe Morinës. Kurse vlonjatët pak prodhonin në mesfushë, si në qendër ashtu dhe nga krahët. Për tu mbajtur mend në fraksionin e parë të sfidës është gjuajtja e bukur e Nijaz Lenës, që ka përfunduar në duart e Likës.

Pjesa e dytë Rubio bën zëvendësim, nxjerr nga fusha Ferrajn dhe aktivizon Tushen dhe skema në mesfushë ndryshon totalisht. Kurse te vlonjatët, Hysa i lë vendin Shehajt. Kur pritej reagimi i vlonjatëve, janë sërish bardheblutë që marrin frenat e lojës në dorë. Klodian Duro mbetet pa dyshim motori i mesfushës, madje sa herë që prekte topin vinte në lëvizje edhe Gilman Likën e Morinën.

Dhe nuk vonon edhe goli i dytë, këtë herë është Morina, i cili ka dyfishuar rezultatin, duke ngritur në peshë Qemal Stafën. Goli i dytë i ka shokuar vlonjatët, ndërkohë që trajneri Edmond Lutaj, qëndron në këmbë dhe jep udhëzimet. Madje pas pësimit të golit të dytë ai bën edhe dy zëvendësime. Fillimisht aktivizon Telushin në vend të Lenës dhe Idrizajn në vend të Brkiçit.

Të tre lojtarët e rinj vlonjatë mundohen që të marrin inkursione dhe të vënë në rrezik mbrojtjen bardheblu, por aty e kanë shumë të vështirë që të çajnë. Ndërkohë, Rubio nxjerr nga fusha Duron dhe në vend të tij aktivizon Kalarin. Tirana vazhdon të jetë e freskët, ndërkohë krijon raste të tjera për shënim me autorë Takun, Morinën, por nuk e gjen golin.

Kurse vlonjatëve, me kalimin e minutave të pjesës së dytë, dukej sikur u kishte rënë fuqia për të reaguar. Përfundimisht ndeshja është mbyllur me fitoren e Tiranës që tashmë ka marrë komandën e superligës dhe kërkon që të mos e lëshojë më deri në fund të edicionit.

Rubio: U konfirmuam pretendentë, spyes pwr rivalwt

Jam shumë i gëzuar që arritën të fitonim ndaj Flamurtarit. Kisha besim te Morina, ndaj dhe e aktivizova. Unë gjithmonë kam besuar te kjo skuadër. Edhe kur humbëm me Teutën, theksova se gara është e gjatë dhe ka shumë pikë për të marrë. Sa u përket të huajve, unë merrem me skuadrën dhe mua mund të më pyesni për Flamurtarin, por ka të tjerë që mund të flasin nëse ka çështje të huajsh apo jo në ekipin tonë.

Edhe pse fituam me Flamurtarin, unë mendoj për ndeshjen e radhës. Gara është e gjatë dhe janë shumë pikë në lojë. Nuk mendoj se skuadrën do ta mbërthejë euforia. Unë nuk kam kohë të mendoj për të tilla gjëra, jetoj vetëm me futbollin. Do të shoh ndeshje futbolli të kampionateve të huaja, ndërsa sot do të shkojë në Durrës të shoh Teutën dhe Bylisin.

Lidhur me skemën, ende ka disa që nuk e kuptojnë që Tirana luan me më shumë se një sulmues. Nuk është vetëm Bala, por ka edhe të tjerë lojtarë që janë në ndihmë të sulmit gjatë ndeshjes. Humbi Skënderbeu? Më mirë më pyesni me Tiranën, unë bëj llogaritë e mia.

Lutaj: Goli i parë vendosi ndeshjen, ska krizë sulmi

Unë nuk mund të them që Flamurtari nuk funksionoi, por goli i parë i Tiranës ia bëri vazhdimin e ndeshjes më të lehtë. Ishte një gabim që sduhej të ndodhte. Ishte një episod që vendosi edhe rrjedhën e lojës. Luajtëm fort në mesfushë, por gjatë ndeshjes na dolën probleme. Por që të fitosh ndeshjen duhet që të jesh më i qartë taktikisht dhe të japësh sa më shumë krose për sulmuesit në zonën e 16 metrave.

Te sulmi nuk bëhet fjalë për krizë, por duhet që të punojë gjithë ekipi. Duhet që të punojë shumë edhe mesfusha, por edhe krahët, që tua bëjnë më të lehtë punën sulmuesve. Kurse për sa i përket Draganovit, ai është i sëmurë dhe po kurohet. Ekipi tregoi grintë, pavarësisht se ne nuk pajtohemi dhe nuk na pëlqen kjo humbje. Megjithatë, duhet që të përgëzojmë Tiranën për fitoren.

Gjithsesi, kemi dy javë kohë të rikuperojmë gabimet që kemi bërë, aq më tepër na presin dy ndeshje brenda. Kampionatin këtu po e njoh më në brendësi dhe spo më lë ndonjë mbresë, është i zakonshëm. Thjesht ne gabimet duhet ti kthejmë në mësime për të ardhmen. Për sa i përket mosaktivizimit të Shtubinës, ishte thjesht një zgjidhje taktike.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›