E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro: Me Shkumbinin, vendimtare për ecurinë tonë

Nga LEONARD TREBICKA

Për trajnerin e Skënderbeut, ndeshja e së shtunës është vendimtare për ecurinë e kampionëve. Testi i kupës e kënaqi

Nuk besoj se të shtunën ndaj Shkumbinit në Korçë do të mund të gabojmë më. E them këtë, pasi nuk kemi rrugë tjetër, veç fitores. Jam i bindur që ka ardhur momenti që ne të fitojmë dhe të shënojmë fitoren e parë në këtë sezon të ri. Ky objektiv për 90 minutat e radhës e ka karikuar gjithë skuadrën dhe them se në dy ditët e fundit në prag të kësaj ndeshjeje do të mund të mbyllim edhe formacionin që do të zbres në fushë dhe kam bindjen se për Skënderbeun kanë ikur ditët e vështira dhe ka ardhur ora e fitores.

Me këto fjalë e ka nisur prononcimin e tij të djeshëm trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, i cili ka folur nëpërmjet celularit menjëherë pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë që kampionët luajtën në Pukë përballë Tërbunit. Fitorja 2-1 duket se ka qenë më shumë një fitore që ka ngritur moralin e ekipit, pasi kishte plot gjashtë ndeshje që kampionët nuk po shënonin dot qoftë edhe një gol të vetëm.

Kupa e Shqipërisë Nuk ishte një fitore për të cilën duhet të gëzohemi, pasi unë e kisha mendjen vetëm te loja që zhvilluan futbollistët e mi, ndërkohë që nuk më interesonte aspak rezultati, pasi siç dihet, kemi edhe ndeshjen e kthimit. Pa diskutim që do ta quajmë vetën të kualifikuar pa u luajtur edhe ndeshja e dytë, por në fushë hodha një skuadër ku pati edhe rotacion, pasi disa futbollistë i kurseva dhe në pjesën e dytë aktivizova lojtarët e rinj.

Jam shumë i kënaqur me lojën dhe kjo është më e rëndësishme për mua dhe skuadrën. Për mua ky tur i parë mund të quhet i mbyllet këtu, që pas ndeshjes së parë, pasi takimi i kthimit do të jetë thjesht sa për të kryer formalitetin e kualifikimit, – ka theksuar njëshi i pankinës korçare.

Shkumbini Tani Duro e ka mendjen vetëm te Shkumbini, për të cilëin pohon: S’ka se si të mos e kem mendjen te ndeshja e radhës, pasi unë e deklarova edhe më sipër, që këtë ndeshje të tretë nuk na falet asnjë rezultat tjetër, veç fitores. Mjaft më kemi gabuar në 180 minutat e para dhe normale që tani ka ardhur momenti që skuadra të kthehet te lojërat dhe rezultatet e veta.

Pa diskutim që Shkumbinin e kemi vlerësuar në maksimum dhe 90 minutat e kësaj jave do të jenë vërtet si një finale. Kam edhe ndonjë dyshim të vogël në lidhje me formacionin dhe kjo do të zgjidhet gjatë këtyre ditëve të fundit. Ashtu si gjiithë të tjerët, edhe unë në emër të skuadrës kërkoj mbështetjen e të gjithë sportdashësve korçarë, në mënyrë që tia dalim dhe më pas të vijojmë të qetë këtë kampionat, ku ju premtoj se Skënderbeu shumë shpejt ka për ta kapur kreun e superligës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›