Kola: Dua të nxjerr njerëz, më pas talente në futboll
Ish-sulmuesi i shquar i Tiranës nga U-17 ka kaluar në drejtimin e U-19
Trajneri i moshave për ekipin e Tiranës, Agustin Kola, gjatë ndryshimeve të fundit që kanë ndodhur në klub ka kaluar në ekipin U-19 si trajner. Një vit më parë ai ka pasur nën drejtim ekipin U-17. Pas ndeshjes së parë hapëse të kampionatit, ku ekipi U-19 ka humbur 2-0 në fushën e Elbasanit, ka filluar pregatitjet për ndeshjet që do të pasojnë gjatë ditëve në vijim.
Sot (dje) tekniku Kola, në një prononcim të shkurtër për gazetën Sporti shqiptar, ka shprehur këto mendime për ndryshimet që kanë ndodhur ditët e fundit brenda klubit bardheblu. Siç dihet, unë kam kaluar nga drejtimi i skuadrës U-17 tek U-19. Ky ndryshim nuk ka shumë që ka ndodhur, pra vetëm një javë para se të niste kampionati i moshave. Mund të them se kam bërë rinovime në skuadër. Kam larguar disa të rritur, të cilët janë vendosur tek ekipi i parë, ndërsa të tjerët janë larguar gjatë merkatos verore.
Tashmë zotëroj në ekip, krahas futbollistëve të datëlindjes 1993, edhe ata të 1995-ës, të cilët unë i kam sjellë nga skuadra që drejtoja vitin e kaluar. Pra, janë të njëjtët djem që kam pasur në trajnim vitin e kaluar. Po të filloj të analizoj ndeshjen e parë, ne humbëm, por unë nuk u kushtoj rëndësi rezultateve. Qëllimi im i parë mbetet vetëm të kemi terrene të mira, ku të rinjtë të stërviten dhe të luajnë lirshëm.
Kjo na ndodhi në Elbasan, ku shkuam, luajtëm dhe humbëm, por mbi të gjitha më pëlqeu mikpritja dhe mënyra se si mbahej nën kontroll një ndeshje të rinjsh dhe kultura që u jepet atyre në futboll. Unë sigurisht që dua të nxjerr talente dhe të furnizoj ekipin e parë, por në radhë të parë kërkoj tu mësoj të rinjve kulturën e të luajturit futboll.
Nuk jam nga ata trajnerë që dua trofe me këto mosha, sepse në kushtet e të rinjve shqiptarë duhet që të kenë më shumë përkrahje për të luajtur dhe për kushte sportive, ndërsa rezultati duhet të lihet në një plan tjetër. Pra, nuk duhet që të kërkojmë patjetër trofe, sepse të fitosh një trofe nuk do të thotë se ke fituar botën, – ka përfundur ish-futbollisti i Tiranës dhe tashmë trajner i moshave të këtij klubi.
