Vllaznia kërkon vetëm qetësi para ndeshjes me Teutën
Kupa i ka prishur jo pak punë trajnerit Josa, megjithatë kushtet këto janë dhe ekipi duhet të bëhet gati për fundjavë
Në pamje të parë duket një situatë shumë e zhurmshme ajo që po kalon Vllaznia. Në fakt, më shumë e tillë është në media sesa në realitet. Themi kështu, ngaqë në media flitet për rroga të prapambetura, ndërkohë që realisht ka diçka të vogël për të sqaruar, sepse gjithmonë në një periudhë të ndërrimit të krerëve të klubit, diçka mbeti keq.
Aq më tepër që Fushaj i kishte ndërtuar ndryshe reportet me disa prej tyre (lojtarë e staf), ndërkohë që bashkia sot kërkon ti ndërtojë ndryshe raportet, me rregulla e ligje. Ndërkohë, në skuadra të tjera kanë nga 5-6 muaj pa lekë dhe probleme të tilla nuk dalin në media. Kjo gjë i ka shqetësuar drejtuesit e skuadrës, të cilët shohin edhe njëfarë shpërqendrimi të lojtarëve.
Mbase kjo është një nga arsyet kryesore pse Vllaznia ende nuk po del në lojën e saj, sepse futbollistët po shohin më shumë nga ajo çfarë po ndodh sesa puna e tyre në stërvitje. Nga ana tjetër, debatet që vazhdojnë ende në distancë në mes ish-presidentit dhe drejtuesve aktualë, e kanë ngritur jo pak temperaturën në ambientin shkodran.
Disa lojtarë ndoshta kanë filluar të shihen si armiq, ngaqë vazhdojnë të ruajnë marrëdhënie të mira me ish-presidentin. Të gjitha këto gjëra duken të palogjikshme, në një moment kur kampionati ka nisur dhe tashmë mendja duhet të jetë vetëm te ndeshjet.
Kupa Pas pjesës së parë të ndeshjes së luajtur në Sarandë për kupë me Butrintin, që ishte në fitore 2-1, drejtues të klubit shkodran mund të kenë menduar se nëse gjërat do shkonin ashtu, fjalët që do qarkullonin në Shkodër do ishin nga më të shumtat. Megjithatë, çdo gjë ka kaluar paq dhe në pjesën e dytë ka ardhur fitorja, që ka mbyllur dyshimet. Sakaq, pjesa e titullarëve që kanë mbetur në Shkodër ka vazhduar punën nën drejtimin e zëvendëstrajnerit Plori.
Sportistët janë lënë jashtë planeve të kupës vetëm e vetëm për tu përgatitur për ndeshjen e së dielës për kampionat me Teutën. Kjo sfidë konsiderohet shumë e rëndësishme në kampin shkodran dhe, për më tepër, për vetë situatën ku ndodhet ekipi, ajo duhet fituar patjetër.
Një fitore që do vlente për të kthyer qetësinë e munguar, do rriste dëshirën e drejtuesve të klubit për ti qëndruar edhe më afër skuadrës dhe prandaj nga fati i kësaj ndeshje duket se varen shumë gjëra. Megjithatë, nuk duhet marrë e tillë dhe aq shumë. Është vetëm ndeshja e javës së tretë të kampionatit dhe drejtuesit e klubit, por edhe tifozët duhet ta dinë këtë gjë.
Alban Noga nis punë tek Akademia Vllaznia
Që nga dita e djeshme, ish-futbollisti dhe kapiteni i Vllaznisë së viteve 90, Alban Noga, ka nisur punë tek Akademia Vllaznia. Drejtuesit e klubit vazhdojnë të afrojnë pranë ekipeve të kësaj akademie figura të njohura të futbollit shkodran dhe, si një prej tyre, Noga nuk mund të mungonte.
Detyra që i është caktuar është ajo e zëvendëstrajnerit të ekipit të 19-vjeçarëve, teksa do punojë së bashku me trajnerin Ilir Dibra. Noga ka marrë licensën UEFA B, por kjo do jetë përvoja e parë e tij si trajner, ndërkohë që të gjithë shpresojnë që ai të jetë po aq serioz dhe i aftë siç ka qenë edhe në fushën e lojës si futbollist.
