E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Dushku: Kjo Tiranë me këmbë prej ere

Nga ERJON SALIU

Diferenca me rivalët? Në skuadrën tonë asnjë nuk lodhet, të gjithë vrapojnë edhe në minutën e 90-të. Rubio me mentalitet europian

Mbrojtësi Erjon Dushku, autori i golit të tretë që i dha fitoren skuadrës së tij në transfertën e javës që shkoi në Krujë, flet me optimizëm për të ardhmen e bardhebluve në kupë dhe kampionat. Dushku ndihet i lumtur që ka shënuar në një ndeshje të rëndësishme.

Pas përballjes së turit të parë eliminator të Kupës së Shqipërisë, ku kryeqytetasit mundën Himarën, Erjon Dushku në një prononcim që ka dhënë enkas për Sportin shqiptar ka folur për sfidën e radhës me Pogradecin për kampionat që do të zhvillohet të dielën në kryeqytet.

Jam shumë i lumtur që shënova në Krujë, por më shumë që i dhashë tri pikë Tiranës. Ishte një ndeshje e madhe për ne, dhamë maksimumin dhe u shpërblyem në fund. Besoj se tri pikët me Kastriotin na shërbejnë shumë në rritjen e moralit tonë për vazhdimësinë e kampionatit. Pas Krujës jemi më te qetë për ndeshjen e radhës. Kjo Tiranë ka diferenca me skuadrat e tjera.

Ne dimë të dhurojmë spektakël, por ajo që është më kryesorja, vrapojmë dhe ushtrojmë presion te kundërshtari për 90 minuta. Shumë ekipe të superligës nuk e kanë një gjë të tillë. Mendoj se që kur ka ardhur trajneri Rubio, te skuadra jonë po futet një mentalitet europian, duke filluar që nga mënyra e të stërviturit, por edhe te ndeshjet zyrtare. Jemi një ekip me theks sulmues.

Kupa: Ndër të tjera, Erjon Dushku foli edhe për fitoren në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator me Himarën dhe tashmë për të kalimi në turin e dytë është çështje kohe. Sipas Dushkut, kualifikimi është thjesht formalitet, duke parë fitoren e thellë në ndeshjen e parë. Ne e kemi vlerësuar shumë edhe Kupën e Shqipërisë. Është një kompeticion shumë i rëndësishëm.

Ne jemi fituesit në fuqi të këtij kompeticioni, kështu që do të kërkojmë që të përsëritim suksesin edhe këtë sezon. Fituam në turin e parë me Himarën me rezultatin 3-0 dhe mendoj se jemi kualifikuar tashmë. Tashmë duhet të mendojmë për kundërshtarin e turit të dytë, – tha mes të tjerash mbrojtësi Dushku.

Kampionati Bardheblutë pas fitores me Kastriotin në Krujë, tashmë presin në shtëpi në javën e tretë Pogrdecin dhe një javë më vonë Flamurtarin. Për Dushkun nuk ka shumë rëndësi ku luhen ndeshjet. Për Tiranën nuk ka më ndalesa në të ardhmen.

Humbja me Teutën erdhi në momentin e duhur, sepse ishim fryrë shumë pas Superkupës. Gjithsesi ne duhet ti kalojmë ndeshjet me fitore njëra pas tjetrës kjo është shumë e rëndësishme. Tashmë na pret ndeshja me Pogradecin, të cilën duhet ta fitojmë për të kapur vendin e parë në renditje.

Pastaj kemi një tjetër shtëpiake, atë me rivalin Flamurtar. Për ne nuk ka më rëndësi se ku luajmë. Si brenda ashtu edhe në transfertë Tirana shkon për fitore, – theksoi në mbyllje të prononcimit mbrojtësi i Tiranës, Erjon Dushku.

1 Gol ka shënuar Dushku këtë sezon me Tiranën, javën që shkoi në Krujë, ku ndeshja përfundoi 3-2 për kryeqytetasit dhe lezhjani shënoi golin e fitores

2 Sezone ka Erjoni si titullar te bardheblutë. Ai erdhi nga skuadra e Teutës dhe menjëherë fitoi besimin e ish-trajnerit Sulejman Starova, duke u bërë pikë e fortë e repartit difensiv

4 Skuadra ka ndërruar lezhjani deri më tani në superligë, e ka nisur karrierën te Besëlidhja më pas është aktivizuar te Kastrioti, Teuta dhe së fundmi Tirana

Bekim Bala, goleador dhe dëmtim në një ditë

Pa dyshim që njeriu i ndeshjes së djeshme ka qenë sulmuesi 20-vjeçar, shkodrani Bekim Bala. Ai ka shënuar një tripletë, madje golat kanë qenë njëri më i bukur se tjetri. Forma e Balës po vjen në rritje, madje ai e ka gjetur rregullisht rrugën e rrjetës. Bekimi ka shënuar në Superkupë një muaj më parë, por edhe në ndeshjen e javës që shkoi në Krujë. Dje ai ka shënuar tre gola, por ka treguar edhe një lëvizshmëri deri në minutën e 69-të, kur u zëvendësua nga Ergys Sorra.

Por përveç gëzimit, shtatlarti Bala është hidhëruar, sepse është dëmtuar. Ka qenë një ndërhyrje e ashpër ndaj tij e njërit prej lojtarëve të Himarës, çka ka bërë që Bekimi të çalojë po me shpirt ndër dhëmbë ka vazhduar lojën.

Megjithatë, trajneri Rubio nuk ka dashur që ta lërë deri në fund, në mënyrë që gjendja e lojtarit mos të rëndohej. Gjithsesi, në fund të ndeshjes kavilja e Balës ka qenë e enjtur. Sot ai do të bëjë ekzaminimet mjekësore dhe do të shohë shkallën e dëmtimit.

Vetë Bala, pas ndeshjes, pohoi: Golat më gëzuan dhe më vjen mirë që po kaloj një formë të mirë sportive. Por më shqetëson dëmtimi. Shpresoj që të mos jetë serioz dhe të luaj në ndeshjen e radhës me Pogradecin, – u shpreh dje pas takimit me Himarën sulmuesi shkodran Bekim Bala.

Duro-G.Lika-Ahmataj-Mustafa, të diferencuar

Ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës, katër nga lojtarët e bardhebluve dje janë stërvitur në mënyrë individuale. Fjala është për dy mesfushorët e kombëtares, Klodian Duro dhe Gilman Lika, por edhe mëngjarashin Julian Ahmataj, si dhe portierin rezervë Arjon Mustafa. Që të tre kanë zhvilluar vrapime rreth fushës së stadiumit Selman Stërmasi.

Gjithsesi, me përjashtim të Gilman Likës, që ka një dëmtim të léete, që e ka pësuar në ndeshjen e javës që shkoi me Kastriotin, tre të tjerët nuk kanë asnjë problem shëndetësor. Për sa i përket Duros, ende si ka mbërrritur leja e kalimit, edhe pse për federimin e tij duhet që të kishte lehtësim, pasi është futbollist i kombëtares. Gjithsesi, ndaj pogradecarëve me shumë gjasa ai do të jetë në dispozicion të trajnerit Rubio.

Drejtuesit bardheblu, të gjithë afër skuadrës

Dje, në ndeshjen Himara-Tirana, që është zhvilluar në orën 16:00 në stadiumin Selman Stërmasi dhe u fitua nga bardheblutë me rezultatin 0-3, kanë qenë të gjithë drejtuesit bardheblu, duke filluar nga presidenti Refik Halili, i shoqëruar edhe nga menaxheri i përgjithshëm Hektor Cama, si dhe shefi i klubit, Alban Tafaj.

Kurse nga skuadra mike nuk munguan presidenti Lorenc Gjikuria si dhe drejtori teknik Vasil Ruci. Të gjithë së bashku kanë qëndruar në tribunën VIP të stadiumit dhe kanë ndjekur me interes ndeshjen e fituar nga kryeqytetasit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›