Superliga bën diferencën, humbet vetëm Tomori
Ekipet e elitës kanë hedhur hapa të sigurta drejt kualifikimit. Vetëm beratasit munden nga Luftëtari. Vlora-Dinamo nuk zhvillohet
Për ekipet e superligës nuk ka qenë e vështirë të hidhnin hapa të sigurta që në ndeshjet e para drejt kualifikimit për të turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. I vetmi që ka gabuar ka qenë Tomori, që është mundur 1-0 në fushën e Luftëtarit, por edhe beratasit janë ende në valle sa i takon kualifikimit.
Ekipet e kategorisë së parë, duke e pasur të qartë se nuk mund të shkojnë larg në këtë kompeticion, kanë menduar më shumë për ndeshjen e kampionatit në fundjavë dhe u kanë dhënë më tepër hapësirë të rinjve. Edhe në radhët e ekipeve të superligës janë aktivizuar shumë të rinj, por kuptohet që cilësia e tyre bën diferencën me ata të kategorisë së parë.
Nuk falin të fortët Fitoren më të thellë e ka arritur Bylisi, që në fakt ka luajtur në fushën e tij, pasi Iliria nuk ka fushë dhe ishte rënë dakord që ndeshja të zhvillohej në Ballsh. Ballshiotët nuk janë kursyer aspak ndaj fushëkrujasve modestë dhe kanë shënuar plot 6 gola, dy nga të cilët mbajnë firmën e brazilianit Uashington.
E dyta në radhë për fitoret e thella është Apolonia, që ka mundur 1-5 Gramozin në stadiumin e Ersekës. Nga një dygolësh kanë shënuar Agstra dhe Gërço. Kurse të tretët në këtë radhë janë vlonjatët, që kanë fituar 1-4 në fushën e Bilishtit, duke mos pasur asnjë vështirësi. Edhe këtu kemi një dygolësh, që mban firmën e sulmuesit Shehaj.
Pastër Laçi Fitore të pastër ka marrë dje edhe Laçi, me rezultatin 0-3, në fushën e Skraparit (Laçi dhe Skrapari luajtën në Skënder Halili). Edhe pse kanë aktivizuar shumë futbollistë të rinj, laçianët e trajnerit Dede kanë marrë rezultatin e dëshiruar, duke siguruar kualifikimin për në turin e dytë, kështu që tani mund të përqendrohen te ndeshjet e kampionatit.
Mamurrasi Mamurrasi ka lënë mënjanë problemet e ditëve të fundit dhe ka luajtur në ndeshjen me Elbasanin, madje edhe ka fituar. Ekipi i drejtuar nga trajneri Sinan Bardhi ka mundur 1-0 verdheblutë, duke dhënë një shenjë të mirë edhe për kampionatin, të paktën në planin moral. Në këtë grup nuk është zhvilluar ndeshja mes Vlorës dhe Dinamos, sepse vlonjatët nuk janë lejuar të përdorin fushën e stadiumit Flamurtari.
