E Diel, 1 Nëntor 2026

Malota: Ta tregojmë edhe ndaj Tomorit sa vlejmë

Nga ANDI MATRAXHIU

Sipas mbrojtësit Renato Malota, Dinamo nuk duhet të dorëzohet para fenomenit transfertë, aq më tepër që luhet në Lushnjë

Pas performancash pozitive ndaj Skënderbeut në shtëpi, tashmë dinamovitët janë përballë një transferte të vështirë në qytetit e Beratit. Të besuarit e Faruk Sejdinit do të përballen me Tomorin e drejtuar nga Përparim Daiu. Blutë, edhe pse bindën përballë korçarëve, tashmë janë të paragjykuar për transfertën beratase. Mbase për faktin se humbën në premierën e këtij sezoni ndaj Apolonisë në Fier. Gjithsesi, tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Besimi është rritur dhe humbja ndaj fierakëve është harruar. Blutë kërkojnë të bëjnë një figurë të mirë në ndeshjen e radhës. I bindur për këtë sukses është edhe mbrojtësi Renato Malota. Një nga shtyllat e prapavijës blu, i cili së bashku me të riun e talentuar Antonio Marku, formuan një qendërmbrojtje të fortë ndaj kuqebardhëve, pa dyshim me ndihmën e Ronald Peqinit dhe Andrea Kule nga krahët.

Gjatë një prononcimi për Sportin shqiptar, lezhjani shtatlartë shprehet i lumtur për ndeshjen me Skënderbeun. Sipas tij, Dinamo gjithnjë do të vazhdojë në këto nivele, duke harruar humbjen ndaj Apolonisë në javën e parë. Ndër të tjera, Malota beson se Faruk Sejdini është trajneri i duhur që i ka dhënë motiv grupit, duke pasur edhe elementë të rinj në gjirin e tij.

Apolonia  Është e vërtetë që mund të na paragjykojnë edhe për ndeshjen e radhës në Berat, duke u nisur nga humbja ndaj Apolonisë në javën e parë, por ne tashmë kemi krijuar një tjetër besim në grupin tonë. Ishte vetëm takimi i parë dhe smund të shkonin gjërat sipas parashikimeve, duhej edhe pak fat, sepse u mblodhëm në momentet e fundit.

Skënderbeu Unë kam qenë pjesë e grupit në ato humbje të mëparshme ndaj Skënderbeut. Sdua të analizoj në detaje çfarë ka ndodhur më parë. Nuk është detyra ime, por në takimin e fundit treguam se dimë të luajmë futboll. Duhet të ecim përpara në këtë mënyrë, që të jemi të bashkuar për ndeshjen e radhës. Më të vërtetë mund të arrinim edhe fitoren, pasi rastet nuk munguan. Korçarët na paragjykuan disi duke ardhur të sigurt për fitore. Por në futboll gjithnjë është fusha e blertë që bën diferencën.
Tomori Ne shkojmë me besim të plotë në vetvete për të treguar se cilët jemi edhe në këtë sfidë. Mund të jetë transfertë e fortë, por në futboll ndeshjet nuk luhen vetëm në shtëpi. Normal që duhet të mendojmë edhe për transferta. Jemi mobilizuar maksimalisht për të arritur fitoren. Pra, shkojmë për rezultat pozitiv dhe jo të dorëzuar. E respektojmë kundërshtarin, është skuadër me tradita, ka një tifozeri për tu admiruar.

Faruk Sejdini Pa hequr meritën e pjesës tjetër të grupit, mendoj se trajneri ynë, Sejdini, ka meritën kryesore në këtë skuadër që është ndërtuar. Unë kam vite tek Dinamo, por besimi që ky trajner na ka dhënë është shumë domethënës për ne futbollistët.

 

Dinamo fiton miqësoren me Skraparin

Trajneri Faruk Sejdini i ka ndarë në dy grupe futbollistët e tij ditën e mërkurë. Një grup ka zhvilluar miqësore ndaj Skraparit paradite në kompleksin blu, ndërsa tjetri ka udhëtuar drejt Vlorës për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, e cila nuk është zhvilluar në mungesë të terreneve sportive. Blutë kanë fituar ndaj Skraparit në miqësore me rezultatin 3-1. Ky takim ka shërbyer për të unifikuar më tepër grupin dhe për tu dhënë hapësirën e duhur disa futbollistëve të rinj, të cilët kanë nevojë për të treguar cilësitë që disponojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›