Rama: Rikthehemi në shtëpi, rikthehemi te fitorja
FIERAKËT KANË NJË ARMË MË SHUMË NDAJ KURBINASVE, ISH-TRAJNERIN E TYRE, STAVRI NICA
Mesfushori fierak Renaldo Rama thotë se pas humbjes në Peqin, kthesa e menjëhershme vjen me Laçin
Pasi ka kaluar me sukses dhe me një rezultat të thellë ndeshjen e parë në kupë kundër Gramozit, Apolonia e ka kthyer kursin tërësisht nga kampionati. Ka ende ditë në dispozicion që skuadra të arrijë në nivelet e duhura për ballafaqimin e fundjavës. Rivali i radhës për Apoloninë do të jetë Laçi, një skuadër që nuk është se i ka bërë nisjen e duhur këtij sezoni, pasi në dy javët e para ka marrë vetëm një pikë.
Kjo përplasje do të jetë interesante, nisur edhe nga fakti se trajneri Nica është një nga strategët kryesorë të Laçit, trajneri që e ka ngjitur deri në Europë këtë skuadër. Kësisoj, kryepankina fierake do të luajë kundër të shkuarës së tij dhe do të kërkojë që Apolonia të dalë triumfatore nga ky takim.
Përtej emrit të kundërshtarit, për bardhejeshilët do të jetë një javë autokritike për humbjen në Peqin dhe skuadra duhet të reagojë përpara sportdashësve të vet, duke kërkuar domosdoshmërisht fitoren. Në Loni Papuçiu as që mud të mendohet për rezultat tjetër dhe Apolonisë nuk do ti pëlqenin surprizat e pakëndshme.
Rama Është mesfushori me tipare sulmuese i skuadrës fierake, Renaldo Rama, një nga futbollistët që ka spikatur më shumë nga lojtarët që luajnë për herë të parë me Apoloninë, ai që shprehet optimist për ndeshjen me Laçin: Kemi humbur në një ndeshje transferte dhe kjo mendoj se është normalitet. Nuk kemi qenë në ditë të mirë dhe nuk kemi dhënë atë që duhet për të marrë një rezultat pozitiv.
Megjithatë, e kemi lënë pas humbjen me Shkumbinin dhe shikimi ynë është vetëm përpara. Rikthehemi në shtëpinë tonë dhe do të luajmë ndaj një kundërshtari tjetër interesant, siç është Laçi, një skuadër që do të kërkojë të tregojë se rezultatet e dy javëve të para nuk janë pasqyra reale e gjendjes që ka ky ekip.
Nuk e nënvlerësojmë aspak Laçin dhe, duke qenë serioz në këtë drejtim, kemi bindjen e plotë se fitorja do të na buzëqeshë neve. Nuk mund ta vëmë në diskutim në asnjë moment lojën dhe fitoren në fushën tonë.
