E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia U-19, për kampion edhe me Ilir Dibrën

Nga Gjergj KOLA

Pas largimit të Samuel Nikajt tek Ada, Ilir Dibra ka marrë timonin e skuadrës

Largimi i trajnerit Samuel Nikaj për tek Ada, ka bërë që vendi i trajnerit të të rinjve të Vllaznisë të mbetej bosh për një periudhë të caktuar kohore. Stërvitja u drejtua nga zëvendëstrajneri Ilir Dibra, i cili më pas mori edhe votëbesimin e drejtuesve të klubit për të qenë ai trajneri i këtij ekipi. Ardhja e Dibrës në krye të pankinës ka sjellë një reagim të mirë nga futbollistët që ai ka drejtuar së bashku me teknikun Nikaj, por edhe frytet e para erdhën në javën e parë të kampionatit, në fitoren 4-1 ndaj Adës.

Pasi është zgjidhur problem i trajnerit, ka mbetur për tu përcaktuar edhe ndihmësi i tij. Pas kryerjes së seleksionimit të lojtarëve, ka nisur puna me përgatitjet për vazhdimin e edicionit të ri. Kuptohet që puna do jetë e madhe për të ruajtur titujt kampion që janë fituar në dy vitet e fundit. Janë larguar një grup i mirë lojtarësh që sot janë tek Vllaznia e të rriturve, Ada apo ekipe të tjera.

Megjithatë, janë afruar një pjesë e mirë e lojtarëve të ekipit të Vllaznisë U-17, të cilët gjithashtu u shpallën kampionë sezonin e kaluar. Ka ardhur edhe një lojtar tjetër, si Jubani, me të dhëna shumë të mira nga ekipi i Vllaznisë amatore, me trajner Ferid Borshin. Skuadra duket e kompletuar dhe e ka nisur tashmë kampionatin e ri. Ai startoi këtë fundjavë me një derbi Vllaznia-Ada 4-1.

Përballë ekipit të Ilir Dibrës u vendos skuadra velipojake me trajner Brikeno Bizin, e cila e humbi këtë derbi. Për kuqeblutë e rinj kuptohet që objektivat gjithnjë janë madhorë, megjithatë duhet parë mënyra se si do të vazhdojë kampionati dhe si do të shkojnë gjërat në vijim.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›