E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transplantet, bllokohen hetuesit e KE

 

BURREL/ HASAN PASHA

Bllokohen nga banorët e fshatit Gurrë në Mat përfaqësuesit e Kë-shillit të Evropës. Të interesuar për faktet e ish-kryeprokurores së Hagës, se në këtë fshat janë kryer transplantet e ushtarëve serbë, ata nuk kanë mundur të realizojnë qëllimin e tyre. Një grup i madh banorësh, të kryesuar nga familja e Abdulla Katuçit, e dëmtuar direkt nga kjo histori, nuk kanë lejuar që dy makinat të depërtonin brenda oborrit të "shtëpisë së transplantove". Kryefamiljari Katuçi dy ditë më parë deklaroi për gazetën "Panorama" se jo vetëm që ende nuk është vënë në vend dëmi moral i shkaktuar nga Karla del Ponte, por po shqetësohen prej kohësh nga vizitat e çdolloj personi. Në vizitën e djeshme, ndonëse nuk konfirmohet zyrtarisht, mendohet se ka qenë dhe senatori i KE-së Dick Marty, i cili prej ditësh ndodhet në Shqipëri për këtë çështje. "Ku ta dimë ne kush janë ata që vijnë të hetojnë edhe një herë në shtëpinë tonë?", shprehet i revoltuar Mersim Katuçi. Sipas tij, askush nga vizitorët e djeshëm nuk u ka paraqitur ndonjë dokument për qëllimin e ardhjes. Pas 2 orësh, policia e Dibrës ka ndërhyrë, duke ndihmuar makinat zyrtare të ktheheshin pas.
Si e mësuat lajmin e mbërritjes së zyrtarëve në fshatin tuaj?
Një inspektor policie na lajmëroi mbrëmë se përfaqësues të KE-së do të vinin në shtëpinë tonë për të biseduar me pjesëtarët e familjes sonë. Ata kishin kërkuar që vizita të kryhej pa praninë e mediave apo personave të tjerë. Ne u nisëm që në mëngjes në komisariatin e policisë për t'u thënë se askush nuk do të hynte në shtëpinë tonë, fshehtas mediave dhe pa një urdhër nga organet e drejtësisë. Boll jemi bërë si "delja e zezë" dhe akoma nuk na është vënë nderi në vend.
Pse u kthyet në fshat kur ju deklaruat në polici se nuk do të jeni në banesë dhe nuk do të prisnit askënd?
Jam lodhur shumë për të bindur babanë e vëllain të linim Burrelin dhe të udhëtonim me shpejtësi drejt fshatit Gurrë. Kishim frikë se të huajt dhe vendasit do të hynin në banesë, siç kanë vepruar 5 vjet më parë dhe do të merrnin në pyetje nënën e moshuar apo pjesëtarë të tjerë të familjes.
Kur mbërritën mjetet në afërsi të shtëpisë tuaj dhe si reaguat?
Rreth orës 12.30 dy mjete, të cilat ne nuk jemi në dijeni kujt i përkasin erdhën në fund të parcelës së tokës, afro 100 metra poshtë shtëpisë. Ne kishim vendosur që ato t'i ndalonim dhe të kërkonim kush ishin dhe cili ishte qëllimi i kësaj vizite të beftë. Unë, babai dhe vëllai u bëmë shenjë në mënyrë mjaft të kulturuar të ndalonin. Njëri nga mjetet kishte xhama të zinj dhe nuk morëm vesh kush ishte brenda, ndërkohë nga mjeti tjetër doli një grua e cila na tha se kishin ardhur në fshat së bashku më përfaqësues të KE-së. Ne kërkuam kush ishin këto përfaqësues të KE-së dhe a kishin autorizim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe kush i shoqëronte ato.
Pse këmbëngulët kështu?
Ne jemi kontrolluar e marrë në pyetje dhe në shkurt të vitit 2004 dhe ende nuk jemi të qartë pse u ngrit një akuzë aq e rëndë pikërisht për shtëpinë tonë, kur dihet se jo vetëm në shtëpinë tonë, por as në Gurrë nuk ka pasur kosovarë gjatë kohës së luftës.
A pati konfrontim me policinë e Burrelit?
Fillimisht me dy mjetet e panjohura për ne ka ardhur vetëm inspektori i rendit Afrim Beshi. Ashtu si më parë ai komunikoi me ne dhe në tha se përfaqësues të Këshillit të Evropës duan të bisedojnë për çështjen e shumëpërfolur të transplanteve. I thamë se kjo nuk mund të ndodhë pa e ditur kush janë këto përfaqësues, kush i shoqëron nga Prokuroria e Përgjithshme apo ajo e Matit dhe se pa paraqitur dokumente ligjorë rreth qëllimit të hetimit pas pesë vitesh sërish në shtëpinë tonë.
Nuk mendoni se keni gabuar me këtë veprim, pasi përfaqësuesit e KE-së dhe sidomos serbët do të thonë se pengimi ka qenë i qëllimshëm?
Ne ndërmorëm këtë veprim për të bindur jo vetëm autoritetet e shtetit shqiptar, por edhe ndërkombëtarët se familja është e shenjtë dhe nderi e dinjiteti i shqiptarit nuk mund të shkelet në këtë mënyrë. Kështu kemi bindur dhe Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë se tani është koha t'na kthejnë përgjigje pse jemi kontrolluar në rrugë të paligjshme dhe pse nuk hidhen poshtë akuzat e Del Pontes.

Prokuroria e Matit larg hetimit në Gurrë
Nëse në shkurt të vitit 2004 së bashku me hetuesit e Hagës është ngjitur në fshatin Gurrë edhe kryeprokurori i Matit, Arben Dyla, këtë herë askush nga organi i akuzës nuk ka shoqëruar të huajt që kanë udhëtuar në mënyrë konspirative drejt fshatit të "transplanteve". Pjesëtarë të familjes Katuçi thonë se disa herë kanë kontaktuar me zyrtarët e Prokurorisë së Burrelit dhe kanë marrë prej andej përgjigjen se nuk ka një urdhër a vendim zyrtar për kontrollin e banesës së tyre. "Nuk ka një çështje të filluar ndaj familjes tonë dhe për rrjedhojë prokurorët e Matit nuk vijnë më të shoqërojnë të huajt", tha Mersim Katuci, i cili ka dërguar një mal me letra autoriteteve të shtetit shqiptar dhe nuk ka marrë prej tyre asnjë përgjigje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›