E Hënë, 2 Nëntor 2026

Duro: Shevçenkon do e ndalim

09/02/2005  “Nuk i trembemi Shevçenkos. E dimë shumë mirë se cilat janë vlerat e këtij lojtari, e respektojmë futbollistin e Milanit, por kurrsesi nuk mund të themi se i trembemi pranisë së tij, në fushën e “Qemal Stafës”. Kështu, shprehet mesfushori i Kombëtares shqiptare, Klodian Duro, në prag të ndeshjes së radhës kundër Ukrainës. Mesfushori nuk është aktivizuar shumë në këtë periudhë, me skuadrën e Arminias, megjithatë trajneri Brigel, është shprehur gjithmonë se, Duro është shumë i nevojshëm për kuqezinjtë. Ndërkohë më tej, mesfushori i Biefeldit e ka cilësuar ndeshjen me Ukrainën, si sfidën më të rëndësishme që kanë zhvilluar deri tani kuqezinjtë, për eliminatoret e këtij Botërori. “Ne jemi ndeshur edhe me Greqinë, apo me Danimarkën, por kjo sfidë është disi më ndryshe. E them këtë për faktin se, situata në grup e bën një sfidë të tillë me të vërtetë interesante, për vijueshmërinë e mëtejshme të skuadrave në grup. Një fitore do të rriste shumë mundësitë tona për një kualifikim të mundshëm. Kuptohet që është ende shumë shpejt të flasim për diçka të tillë, por unë mendoj se tri pikë kundër Ukrainës, kanë një peshë me të vërtetë shumë të madhe. Mbi të gjitha, ne do të ndihemi shumë më të qetë nga ana psikologjike, nëse do të mund të marrim fitoren në ndeshjen e kësaj jave. Megjithatë, nuk duhen bërë parashikime, pasi në fund ajo, që vendos është pikërisht fusha”. Megjithëse në Kombëtaren tonë mungojnë shumë futbollistë për këtë ndeshje e ndërkohë, një pjesë janë në dyshim, Duro shprehet i sigurtë se, çdokush që do të luajë, në fushën e lojës do të japë maksimumin. “Normalisht në këtë ndeshje, secili prej nesh në fushën e lojës do të japë maksimumin. Në çdo ndeshje, ne të gjithë japim maksimumin dhe besoj se edhe këtë radhë, ne do të bëjmë detyrën. Shpresoj shumë që publiku të na mbështesë edhe në këtë sfidë, ashtu siç ka bërë gjithmonë e pse jo, ne të arrijmë edhe t’i dhurojmë publikut tonë të mrekullueshëm një fitore”, përfundon mesfushori Klodian Duro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›