E Hënë, 2 Nëntor 2026

Letra e KQ, festat e reja të komunistëve në fshat e qytet

09/02/2005  1967

Për të zhdukur përfundimisht çdo gjurmë nga “mbeturinat fetare” në vitin 1967, Komiteti Qendror i PPSH u dërgon rretheve një letër mbi zëvendësimin e praktikave fetare me festat e reja socialiste.

Si do të zëvendësoheshin praktikat dhe zakonet e vjetra, festat në jetën e përditshme të njerëzve? Cilat ishin udhëzimet për këtë rast që lëshoi Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë?

Në kuadër të masave për revolucionarizimin e jetës, PPSH lëshon vendime dhe letra të hapura për të hequr nga kalendari i festave ideologjinë e vjetër feudo-borgjeze, si dhe atë fetare. Frymëzimi ishte fjalimi programatik i 6 shkurtit, që mbajti Enver Hoxha.

Cila ishte përmbajtja e letrës që KQ i PPSH u dërgoi rretheve mbi zëvendësimin e traditave fetare me festat e reja socialiste?

A kishte pengesa nga populli zëvendësimi i praktikave fetare me festat e reja socialiste? Si u hoqën festat e pagëzimit dhe synetllëkut nga organizimet e bujshme të familjeve shqiptare? Çdo gëzim u vendos të festohej nëpër lokale. Si u zëvendësuan ritet fetare dhe festat pagane shqiptare me festat kombëtare? Zbardhen për herë të parë dokumentet arkivore rreth letrës së KQ të PPSH, dërguar KP të rretheve mbi zëvendësimin e praktikave fetare me festat e reja socialiste.

Shkurti i vitit 1967 ka hyrë në historinë e Shqipërisë si vit kur u ndërmor fushata më e paparë e luftës kundër fesë. Po në këtë muaj, pas fjalimit programatik të Enver Hoxhës, vijuan një sërë vendimesh të Komitetit Qendror të PPSH për zëvendësimin e praktikave dhe riteve fetare me festat e reja socialiste. Çfarë ndodhi me festat fetare dhe gëzimet intime familjare? Për herë të parë zbardhet një letër e KQ të PPSH dërguar komiteteve të partisë së rretheve mbi zëvendësimin e praktikave fetare me festat e reja socialiste.

***

Festat me karakter të përbashkët kombëtar

Në të gjithë vendin kanë filluar të festohen mirë ngjarjet e shënuara si 11 Janari (Shpallja e Republikës), 1 Maji (dita e solidaritetit ndërkombëtar të klasës punëtore), 8 Nëntori (dita e themelimit të partisë), 28-29 Nëntori (dita e Pavarësisë dhe e Çlirimit), etj. Festimi i këtyre ditëve të shënuara po bëhet gjithnjë edhe më masiv. Por, ndërsa në qytete këto festa kanë fituar një traditë të mirë, në fshat ose festohen zbehtë, ose nuk ndihen fare.

Prandaj organizatat e partisë dhe organizatat e masave duhet t’u dalin me kohë përpara, duke hartuar planin e punës për gjithë aktivitetin që do të zhvillohet para festës dhe ditën e festës, në mënyrë që atmosfera e festës të ndihet me kohë dhe njerëzit të pregatiten sa më mirë për t’i pritur dhe festuar ato, jo vetëm me rezultate sa më të mira në punë, por edhe me një aktivitet të madh politiko-kultural, me gëzim dhe dëfrim të përbashkët në kolektiv dhe në familje.

Festat me karakter shoqëror

Deri tani janë festuar dhe duhet të festohen sa më mirë të gjitha festat që kanë karakter shoqëror, siç janë 1 Janari (dita e Vitit të Ri), 7 Marsi (dita e mësuesit), 8 Marsi (dita e gruas), 25 prilli (dita e kufirit), 5 Maji (dita e dëshmorëve), 1 Qershori (dita e fëmijëve), 10 Korriku (dita e ushtrisë) etj. Gjithashtu mund të kremtohen e të përkujtohen përvjetorët e patriotëve dhe personaliteteve të njohur. Edhe për këto festa, organizatat e partisë duhet të mendojnë seriozisht si t’i organizojnë sa më mirë, me programe të pasura politiko-kulturale dhe jo vetëm në kolektiv, por edhe në familje.

Festat lokale

Përkujtohen dëshmorët e ndërmarrjes

Ndër festat me karakter lokal kanë fituar traditë dhe festohen mirë dita e çlirimit, dita e krijimit të batalioneve apo brigadave partizane, ndonjë ngjarje tjetër e periudhës së luftës dhe e pasçlirimit. Por ne mendojmë se çdo rreth, zonë, ndërmarrje, shkollë apo fshat, ka dhe shumë ngjarje të tjera si e periudhës së luftës dhe e pasçlirimit. Por, ne mendojmë se çdo rreth, zonë, ndërmarrje, shkollë apo fshat, ka dhe shumë ngjarje të tjera të shënuara, që mund dhe duhet t’i festojë sa më mirë. Të tilla janë ngritja e organizatave të partisë, të rinisë, të këshillave nacionalçlirimtare, përkujtimi i dëshmorëve të ndërmarrjes, apo të fshatit, ngjarjet e tjera të rëndësishme të periudhës së pasçlirimit, siç janë shtetëzimi dhe ngritja e fabrikave dhe ndërmarrjeve të reja, ngritja apo bashkimi i kooperativave bujqësore, hapja e shkollës, elektrifikimi i fshatit, etj.

Përsa i përket festave lokale, të gjithë rrethet kanë grumbulluar një eksperiencë të pasur, por përsëri ka vend për ta pasuruar këtë, për t’i bërë këto festa sa më tërheqëse dhe sa më interesante. Në shumë raste është vënë re se preokupacioni kryesor i shokëve për organizimin e këtyre festave ka qenë sigurimi i ushqimit dhe i pijeve, kurse ana kryesore siç është organizimi sa më i mirë i aktivitetit politik, kultural-artistik, sportiv etj. Është lënë në dorë të dytë. Këto anë që janë esenciale duhet t'i organizojmë sa më mirë, që t'i jepet festës një karakter i përgjithshëm solemn, që të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen të lënë te çdo njeri mbresa të thella për një kohë sa më të gjatë, që njerëzit t'i prekin këto festa me gëzim, se atje do të shohin diçka të re, do të dëgjojnë, do të marrin pjesë vetë në manifestimet, do të gëzojnë dhe do të dëfrejnë. Në këto festa, përveç aktivitetit politik që do të zhvillohet, mund të jepen shfaqje filmi, shfaqje estrade, festivale folkloristike, aktivitete të ndryshme sportive, si vrapime, kërcime, gara me kuaj, gara noti etj., sipas kushteve të rrethit apo të zonës së fshatit. Çështja është që çdo organizatë partie, çdo fshat, duhet të mendojë mirë se çfarë do të bëjë.

Në disa vende këto festa festohen vetëm me raste jubilesh, kurse ato mund të festohen çdo vit, në qoftë se do të tregohet kujdesi i duhur.

***

Në kuadrin e festave lokale mund të hyjnë dhe të festohen edhe “dita e minatorit”, e naftëtarit, e transportit, përcjellja dhe pritja me ceremoni, siç ka filluar të bëhet e vullnetarëve, që shkojnë në aksione dhe jo vetëm në shkallë rrethi, por edhe në fshat, apo në ndërmarrje, ashtu siç bëhet edhe për punonjësit që i largohen nga administrata dhe shkojnë në prodhim. Dalja e të riut apo e së resë në jetë, domethënë, kur fillon për herë të parë punën në ndërmarrje apo në kooperativë, është një moment i gëzuar, prandaj organizata profesionale ose ajo e rinisë organizojnë ceremoninë e rastit, ku i bëjnë përshëndetjet dhe urimet e rastit.

Në të kaluarën, populli ynë ka festuar edhe mjaft ngjarje të tjera që lidhen me prodhimin, siç janë dita e të korrurave, vjelja e rrushit, qethja e bagëtisë etj. Sot në kushtet e kooperativave bujqësore, këto mund dhe duhet të festojnë sa më mirë.

Në Elbasan festohet mirë dita e verës. Njerëzit pregatiten me familjet e tyre, marrin me vete ushqimin dhe dalin në një kodër, ku lidhet dhe me ngjarje të luftës dhe atje zhvillohet një aktivitet i pasur politiko-kultural e artistik. Në Durrës, e diela e dytë e muajit maj është caktuar dita e notit masiv, ku i madh e i vogël shkojnë në plazh dhe pas ceremonisë së rastit futen të gjithë në det. Kjo është një gjë e mirë dhe mund të përhapet edhe në qytetet e tjera bregdetare. Në Tiranë, këtë vit, u organizuan koncertet e Majit, të cilat fituan mjaft popullaritet dhe mendohet të bëhen tradicionale etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›