E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qepët shpëtuan Gralin e shenjtë

09/02/2005  Kapedani

Ikona e rrallë, me subjekt Kupën e Shenjtë apo Shën Gralin, bëhet publike nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Moikom Zeqo, i cili i bën apel shtetit shqiptar të financojë restaurimin e ikonës unikale, jo vetëm në teknikë, por dhe në subjekt; flet koleksionisti që gjeti ikonën e Gralit të Shenjtë Vangjel Kapedani

Një vepër e rrallë dhe me një subjekt ikonografik të rrallë. Subjekti i Shën Gralit ose e Kupës së Shenjtë, prezantohet në një ikonë që koleksionisti elbasanas Vangjel Kapedani i ofron për shitje Muzeut Historik Kombëtar, një pikturë unikale, që ndryshon nga teknika e ikonës e bërë në dru, ashtu edhe nga ajo e afreskut apo e quajtur ndryshe pikturë murale, tradita kryesore në kishat, si Lindore ashtu edhe Perëndimore. Piktura ikonografike e gjetur nga koleksionisti elbasanas Kapedani, para viteve '90, ka përmasa 145X 99 cm dhe është realizuar mbi një lëkurë keci, që nuk është kornizuar asnjëherë. Kjo teknikë nuk është një traditë e panjohur fare, por tepër e rrallë. Por ajo ç'ka e bën të rrallë dhe, pothuajse, unikale është subjekti i ikonës.

Koleksionisti i apasionuar, Vangjel Kapedani ka deklaruar se, pavarësisht ofertave të shumta, ai nuk ka pranuar që kjo ikonë të dalë jashtë kufijve të vendit dhe, për këtë ai ka dëshirën që kjo vepër e rrallë të bëhet pronë e shtetit shqiptar. Ndërsa heziton të thotë çmimin e saktë të ikonës.

Kur dhe ku e gjetët këtë ikonë?

E kam gjetur para viteve '90 në qytetin e Elbasanit. Natyrisht që ishte në një gjendje shumë të keqe dhe punët e para për pastrimin e saj i kam kryer vetë. Më janë dashur dhjetë kg. qepë për ta pastruar pa e dëmtuar, pasi qepa ka veti pastruese që ruan pa e dëmtuar këtë teknikë.

Cila është sipas jush teknika e punimit të ikonës?

Eshtë një teknikë e veçantë, e dyllosur dhe në lëkurë me bojëra, që në vetvete përbëhen nga vernik bishe.

A keni patur kërkesa për të shitur këtë ikonë të rrallë?

Sigurisht që kam patur, por nuk kam dashur që kjo ikonë të dalë jashtë Shqipërisë. Prandaj dhe ia kam propozuar për shitje Muzeut Historik Kombëtar.

Sa vlen në treg një vepër arti si kjo, gati unikale në llojin e vet?

Nuk e di, nuk mund të them. Ndoshta nuk është momenti për të thënë një çmim. Ajo që mund të them pa frikë është se kemi një ikonë, sikundër ju e thatë, unikale në llojin e vet në vendin tonë.

Zeqo: Miti i Shën Gralit, i panjohur në Shqipëri

"Duke u nisur nga njohjet e mia personale si ikonografinë e kishës lindore, ashtu edhe asaj perëndimore, mund të them se subjektet ikonografike janë një kod i madh i përcaktuar me rregulla të veçanta. Kaq të forta janë këto rregulla, sa nuk ndryshojnë nga shekulli në shekull dhe të skicuara me rigorozitet. Temat ikonografike, kryesisht lidhen me Dhiatën e Re, kurse elementë të Dhiatës së Vjetër janë shumë më të paktë", ka thënë në një konferencë për shtyp drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Moikom Zeqo. Ai ka shtuar se miti i Shën Gralit nuk njihet në Shqipëri, ose të paktën nuk është i dokumentuar. Por, ikona e prezantuar dje në Muzeun Historik Kombëtar, tregon për influencat e traditës së Evropës Perëndimore, për këtë subjekt ikonografik edhe në vendin tonë. Zeqo ka kërkuar hapur ndihmë financiare nga shteti shqiptar për restaurimin e ikonës unikale, e cila ka dëmtime të ndryshme.

Unikale në ikonografinë shqiptare

Në ikonën që është realizuar mbi lëkurë keci, Kupa e Shenjtë është prezantar në mënyrë monumentale, për të vënë në pah rëndësinë e objektit. Në të dy anët e kupës qëndrojnë dy krye engjëj, Mihali dhe Gabrieli, të cilët janë edhe rojtarët e kupës. Mbi të ndodhet figura rinore e Jezu Krishtit, që tregon përkatësinë e Shën Gralit. Ndërsa në pjesën e sipërme ndodhen katër figura serubinësh, elementë figurativë të hierarkisë qiellore. Në pjesën e sipërme ka një mbishkrim në gjuhën greke, "Agjios Potirios" (Kupa e Shenjtë). Kjo ikonë, e çliruar nga dogma e ikonografisë bizantine, sipas Zeqos, i përket shek. të XVII-XVIII dhe një koncept i pastër i Rilindjes Evropiane dhe, ndoshta e ka origjinën në zonën e Himarës.

Misteri i Shën Gralit apo Kupës së Shenjtë

Shën Grali është i lidhur me një traditë gnostike, që nuk pranohet nga ungjijtë kanonikë, por vetëm nga ata gnostikë, të refuzuar përgjithësisht nga kisha. Sipas ungjijve gnostikë, Kupa e Shenjtë është pjesë e ceremonialit të darkës së fundit të Jezu Krishtit me apostujt e tij. Krishti krijoi sakramentin e jashtëzakonshëm të darkës së fundit, kur duke ndarë bukën tha: "Merreni, është trupi im" dhe për verën: "Pijeni, është gjaku im", duke e ndërthurur hyjnoren me njerëzoren. "Ky sakrament përbën sakramentin bazë të kishës, rituali i së cilës, përndryshe nuk do të kishte kuptim", ka komentuar Zeqo, duke shtuar se në ungjijtë nuk shpjegohet aspak se ç'u bë me Kupën e Shenjtë, që u përdor në darkën e fundit. "Josifi i Arimatesë e mori në dorë Kupën e Shenjtë, sipas ungjijve gnostikë dhe iu lut Pont Spilatit, që t'ia jepte trupin e Krishtit për ta varrosur sipas traditës, në një kopësht, në një varr të hapur në shkëmb, hyrja e të cilit ishte e mbuluar me një gur mulliri", ka interpretuar Zeqo. Shtegtimi i Kupës së Shenjtë, ku ishin mbledhur disa pika gjaku të Krishtit, filloi nga brigjet britanike e franceze, deri në Evropën Qendrore, duke krijuar legjenda nga më të çuditshmet, e duke u shndërruar në një motiv themelor edhe të ciklit të këngëve të kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët dhe të Mbretit Artur, ku njëri prej tyre, Persifali, ishte një nga kërkimtarët më të devotshëm të Shën Gralit. "Kështu do të krijohej miti dhe eposi i kalorësve të Shën Gralit, të cilët e kërkonin kupën si një motiv dlirësie apo katarsisi, si një përsosje, si një utopi", tha Zeqo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›