E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skela: Të fitojmë për vazhdmisinë

09/02/2005  Fantazisti i kuqezinjve mendon se tri pikët kundër Ukrainës krijojnë mundësi për një kualifikim

“Një fitore kundër Ukrainës, mendoj se do të ishte me të vërtetë shumë e rëndësishme, për vazhdimësinë e skuadrës sonë Kombëtare, në këtë grup eliminator, në ndjekje të ëndrrës”. Kështu është shprehur mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela, para ndeshjes me Ukrainën, duke i dhënë kurajo përfaqësueses kuqezi, vetëm disa orë përpara ndeshjes kundër kryesuesve të grupit të dytë eliminator. Lojtari është duke kaluar një formë me të vërtetë shumë të mirë dhe në bundesligën gjermane ka qenë shumë vendimtar për ekipin e tij, Arminian. “Është e vërtetë që ky ka qenë një sezon me të vërtetë shumë i mirë për mua tek Arminia, por mund të them se momentalisht nuk është ky, preokupimi im kryesor. Sot në “Qemal Stafa”, kemi një ndeshje me të vërtetë shumë të rëndësishme, përballë një kundërshtari shumë të mirë. Ukraina ka bërë shumë hapa përpara edhe në renditjen e Fifa-s dhe kjo e vërteton më së miri këtë që po them. Edhe ne kemi fituar disa vende në këtë klasifikim, por duhet pranuar se hapi i kundërshtarëve tanë të radhës ka qenë një tjetër. Megjithatë, besoj se një fakt i tillë do të ndikojë në mbarëvajtjen e kësaj sfide. E dimë shumë mirë se, nëse do të arrinim të merrnim tri pikë në këtë përballje, do të kishim shumë mundësi për të arritur një kualifikim për në Botërorin e ardhshëm. Tashmë është shumë më mirë që ne të përqendrohemi në këtë ndeshje, që do të luajmë përballë skuadrës së Ukrainës”. Sipas vlonjatit, një fitore në ndeshjen e sotme, do të vlente shumë edhe nga ana psikologjike, pasi tri pikët do të kenë shumë vlerë. “Veç të tjerave, një fitore do të na çlironte shumë nga ana psikologjike. Tri pikë përballë skuadrës së parë në grup, mendoj se peshojnë me të vërtetë shumë. Shpresoj shumë që në këtë sfidë të radhës, të arrijmë të fitojmë edhe për publikun që normalisht, do të jetë lojtari i 12-të në fushën e lojës”, përfundon mesfushori Ervin Skela.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›