Duro: Ulja e papunësisë u arrit përmes politikave aktive

Politikat aktive që kanë shoqëruar objektivat për uljen e papunësisë në vend përgjatë viteve të fundit, kanë bërë të mundur përmirësimin e situatës së tregut të punës dhe krijimin e një sistemi modern e unik të shërbimeve të punësimit në të gjithë vendin. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, tha se objektivat për uljen e papunësisë në vend vlerësohen të përmbushura, por edhe me sfida të mëtejshme për realizimin e programit të Qeverisë për rritjen e punësimit dhe uljes së varfërisë. Sipas ministrit Duro ulja e papunësisë nga 14.1 % që ka qenë në vitin 2005, në fund të vitit 2008 niveli zyrtar i papunësisë arriti në masën 13.1%. Kjo, argumentoi Duro, ka ardhur si rezultat i zbatimit me suskes nga Shërbimi Kombëtar i Punës i programeve bazë të tregut të punës siç janë ndërmjetësimi për punësim, programet e mbështetjes me të ardhura (pagesa e papunesisë dhe ndihma ekonomike), programet e nxitjes së punesimit. Duke e konsideruar ditën e 1 Majit si një datë, që kujton plotësimin e kushteve më të mira të punës, ministri deklaroi se “gjatë këtij viti e në vazhdim, prioritet i politikave për nxitjen e punësimit do të jetë integrimi në tregun e punës së kontigjentit të të rinjve që kanë mbaruar arsimin e lartë dhe vëmendje po i kushtohet ndërkohë edhe formimit profesional në përputhje me kërkesat e tregut të punës”. Në zbatim të angazhimeve programore të Qeverise për nxitjen dhe zhvillimin e dialogut social dhe në funksion të misionit të saj, kjo ministri ka bërë përpjekje për përmiresimin e klimës së marrëdhënieve të ndërsjellta me partnerët socialë, punëdhënës dhe punëmarrës. Duro tha se "vëmendje i është kushtuar përmirësimit të funksionimit dhe rritjes së efektivitetit te konsultimeve në Këshillin Kombëtar të Punës, institucioni më i lartë trepalesh në nivel kombëtar. Paralelisht, janë thelluar përpjekjet për krijimin dhe venien në funksionim të organizmave të pajtim-ndërmjetesimit".
...