Reagon Berisha: Mediat po sulmojnë nga pozita antishqiptare, nuk ka marrëveshje të fshehta me Greqinë

Kryeministri Berisha tha sot se për përcaktimin e koordinatave, pala shqiptare ka përdorur hartën e Marinës së Republikës së Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "marrëveshja me Greqinë për delimitimin e ujërave detare dhe shelfit kontinental bazohet në Konventën Ndërkombëtare të Detit dhe për matjet e bëra, pala shqiptare ka përdorur hartën e Marinës së Republikës së Shqipërisë". Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri Berisha i konsideroi si trillime të bazuara në gënjeshtër, të gjitha pretendimet e hedhura në disa media, sipas së cilave "në përllogaritjen e koordinatave është përdorur hartë greke". Në mënyrë absolute, Kryeministri siguroi se "është përdorur Konventa Ndërkombëtare e Detit, e sugjeruar kjo nga miqtë tanë më të mirë, si dokument bazë për zgjidhjen e problemit. Ne i kemi bërë llogaritjet me hartën shqiptare, ndërsa pala greke ka përdorur hartën greke, sepse nuk mund të përdorë hartën shqiptare. Por për përdorimin e koordinatave ka një praktikë shumë të njohur dhe Koneventa e Detit e përcakton qartësisht se si do të bëhen matjet, aty ku nuk ka kufi", u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri u shpreh se "ushtria shqiptare nuk përdor harta të një vendi tjetër, por ka hartat e veta".
...