E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni: Pasaportat aktuale për jashtë shtetit të vlefshme deri në fund të 2010-s

Pasaporta aktuale për jashtë shtetit, është e vlefshme deri në fund të vitit 2010, tha sot zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Duke e vlerësuar të rëndësishëm proçesin e  paisjes me pasaportën biometrike,  zëvendësministri i Brendshëm u shpreh se "para kujtdo që do të paraqiteshim me një dokument të tillë,  ne do të prezantohemi si qytetarë  të denjë". Zëvendësministri i Brendshëm e cilësoi pasaportën  e re biometrike si  një dokument të një sigurie tepër të lartë, e cila ka një numër unik dhe përmban të dhëna demografike dhe biometrike, si portreti i plotë i aplikuesit, firma dixhitale si dhe shenjat e dhjetë gishtave të duarve. "Ky dokument, mjaft i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët,- tha ai-, është i prodhuar në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, bazuar në Sistemin Automatik të Identifikimit të Shenjave të Gishtave (AFIS)". Sipas tij, ritmet e aplikimit për pasaportën biometrike,  janë 7 deri në 10 herë më të larta se ato të aplikimit për pasaportën aktuale për jashtë vendit, ndërkohë që ai kërkoi nga të gjithë qytetarët , që të aplikojnë për t'u paisur me këtë document.

Filloi në Tiranë procesi i shpërndarjes së pasaportës biometrike

Aplikimi për këtë dokument ka filluar në 25 mars të këtij viti, fillimisht me Tiranën, për t’u shtrirë shumë shpejt në të gjithë vendin. Sipas burimeve të ministrisë së Brendëshme, deri tani në Tiranë, kanë aplikuar mbi 3000 qytetarë, ndërkohë që janë prodhuar mbi 2000 pasaporta, të cilat sot po shpërndahen në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të kryeqytetit. Gjithashtu, burime të Postës Shqiptare, konfirmuan sot se deri tani, kanë tërhequr kuponin për të aplikuar për pasaportën e re biometrike, rreth 6000 qytetarë të Tiranës. Pasaporta e re biometrike me vlerë 6000 lekë, është një dokument sipas të gjitha standarteve europiane, me elemente sigurie tepër të lartë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›