Në Shqipëri nuk ka asnjë shenjë të virusit të gripit të derrit

Në Shqipëri nuk ka asnjë rast me virus të gripit të derrave, ndërkohë që një rast i dyshuar gjatë ditës së djeshme ka rezultuar negativ. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, tha sot për mediat, pas mbledhjes së ekspertëve të pandemisë, se "lidhur me survejancën e rritur në kufi, jemi duke filluar të aplikojmë survejancën aktive dhe po marrim monstra pranë spitaleve për të parë se mos rastësisht dhe në Shqipëri ka hyrë në mënyrë të fshehtë gripi". Gjithashtu, MSH ndjek të gjitha masat që ndiqen dhe nga vendet e tjera europiane. "Grupi i ekspertëve po punon mbi detajet e planit të kontigjencës, duke u përgatitur për vendimet që do të duhet të merren në rast se situata kalon në fazën e gjashtë", theksoi z. Ylli. Sipas tij, "po diskutohet gjithashtu për krijimin e një komiteti ndërministerial, nëse ky do të jetë i nevojshëm". Informacionet nga terreni janë të përditshme, ndërsa edhe lajmet e orëve te fundit nga bota nuk janë shqetësuese për momentin, tha ai. I pyetur në lidhje me afatin e skandencës së medikamentit anti grip tamiflu, të ndodhura në sistemin shëndetësor, ai sqaroi mediat se," këto medikamente janë brenda datës së skadencës. Nëse do të llogarisnim stokun, por dhe nga kompanitë private farmaceutike në Shqipëri, përballohen 3 mijë persona", theksoi drejtori i ISHP-së.
...