E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZMQ-ja, apel Ministrisë së Arsimit: Rishikoni Kodin e Etikës për mësuesit

Përveç urimit për festën, arsimtarët marrin edhe një shuplakë nga ZMQ-ja. Kodi i Etikës i ndalon mësuesit që të pranojnë dhurata e ryshfete nga nxënësit

Jonida Tashi

Ministria e Arsimit duhet të shikojë Kodin e Etikës për mësuesit. Ky është apeli që ka bërë dje, me rastin e festës së 7 Marsit, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (ZMQ). Sipas drejtuesve të ZMQ-së, Ministria e Arsimit nuk duhet të lejojë që mësuesit të marrin dhurata të shtrenjta nga nxënësit. Madje, përveç vendimit të MASH-it për ndalimin e pranimit të dhuratave nga nxënësit, vetë mësuesit duhet të jenë të ndërgjegjshëm, sipas ZMQ-së, për të mos i marrë ato. Shqetësimi i ngritur nga ZMQ-ja për Kodin e Etikës ka bërë që përveç urimit për festën, mësuesit të marrin edhe një shuplakë për dhuratat. Megjithëse dhënia e dhuratës është një zgjedhje me dëshirë e nxënësve, në mjaft raste është evidentuar edhe e kundërta, që nxënësit i kanë blerë një dhuratë të kushtueshme arsimtarit, për t’i “shpëtuar” ndëshkimit të tij.
Kodi i Etikës
Kodi i Etikës, i hartuar me iniciativën e Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit SOROS, me pjesëmarrjen serioze të sindikatave të arsimit, përpiqet të bëhet një rregullator i përpiktë i marrëdhënieve mësues-nxënës, mësues-drejtues, drejtues-prind etj. Kodi parashikon me detaje shmangien e veprimeve komprometuese me fëmijët, veshjet ekstravagante, madje edhe krijimin e marrëdhënieve të afërta. Më konkretisht, Kodi i Etikës së Mësuesit i ndalon këta të fundit që të pranojnë dhurata e ryshfete nga nxënësit, t’i fyejnë ata, të përdorin fjalor të papërshtatshëm, madje edhe të tymosin apo të konsumojnë alkool në ambientet e shkollës. “Mësuesit nuk i lejohet të përdorë nxënësit për fushata elektorale apo promocionale”, - thuhet në Kod.
Një pikë tjetër e rëndësishme që vihet në shërbim të nxënësve në shkollat publike të vendit është edhe që mësuesi nuk duhet të qëndrojë indiferent në orën e mësimit, të përdorë nxënësin për motive personale apo familjare etj.
Prindërit
Përveçse me nxënësit, mësuesit duhet të jenë të kujdesshëm edhe me prindërit e nxënësve. Madje, në mënyrë kategorike, mësuesit nuk lejohen që të shfrytëzojnë prindin për interesa personale, t’i manipulojnë ata për të zhvilluar kurse private me fëmijët, të detyrojnë prindin për të investuar në shkollë pa dëshirën e tyre etj. Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe që mësuesit nuk duhet të krijojnë lidhje intime me prindin e nxënësit në ambientet e shkollës. Gjithashtu, ata nuk do të lejohen kurrsesi që të përgojojnë e të kallëzojnë intimitete private e sekrete që lidhen me prindër e nxënës të tjerë që u janë mirëbesuar atyre. Një pikë tjetër e Kodit mbi marrëdhëniet mësues-prind është se i ndalon mësuesit që t’u shesin prindërve të nxënësve produkte me natyrë mësimore.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›