E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetmia gri

Tregim nga Ymer Minxhozi

- Po bie dera! – tha plaka.
- Është era. E përplas era, - i përgjigjet plaku, me përtesë.
- Po ti shiko një herë. Unë e dëgjova. Dikush trokiti!
Plaku ngrihet me ngadalë nga stoli ku është ulur në ballkon, del në koridor dhe mban veshin. Askush. Ai kthehet përsëri, ulet në stolin me jastëk dhe hap gazetën.
- S’ka kush të vijë, të kanë bërë veshët, - flet nëpër dhëmbë.
- Thashë se ishte ajo e elektrikut. Sa grua e mirë! Dje ndejti një orë me mua, pimë edhe kafe.
- Po ajo nuk të vjen përditë, moj plakë. Ata të elektrikut vijnë një herë në muaj, jo sa herë do ti. Pastaj, ata vijnë para dite, jo në mbrëmje.
- E zeza ajo! Po luante menç. I është zhdukur mbesa, vajza e vajzës, që prej dy javësh. Në klasën e tetë. Po vinte nga shkolla dhe i kanë dalë përpara dy djem me veturë e janë zhdukur pa nam e pa nishan. Ku nuk kanë shkuar ta kërkojnë. Dridhej si purtekë. E kam rritur vetë, - më tha, se të ëmën e ka në Kanada. Ku të vete e të mbytem!
Plaku vetëm bën sikur dëgjon. “Gjëra të zakonshme” – pëshpërit nëpër dhëmbë dhe vazhdon të jetë i kredhur në faqet e gazetës, madje edhe fytyra i duket përgjysmë prapa atij çarçafi prej letre.
Plaka indinjohet ngase bashkëshortit të saj nuk i bëri asnjë përshtypje zhdukja e mbesës së nëpunëses së elektrikut, por, si zakonisht, nuk shprehet. Ajo e shpërngul vëmendjen drejt strehës së ballkonit, atje ku kanë bërë fole dallëndyshet, dy çerdhe prej balte, ngjitur me njëra-tjetrën. Është në të perënduar të diellit dhe dallëndyshet duken të shqetësuara, cicërijnë më fort se zakonisht dhe shkojnë e vijnë si shigjeta, nga tre-katër njëherësh.
- Po këto, ç’kanë sonte? – pyet të shoqin.
Plaku përgjigjet pa e lëshuar gazetën nga dora:
- Bëhen gati për udhëtime të largëta. Po afron dimri.
- Po ku shkojnë?
- Larg, shumë larg. Kalojnë male e dete.
- Po nuk mbyten?
- Edhe mbyten. Përplasen në telat e tensionit të lartë kur dalin në sterre. I hanë skifterët. Bien në ujë nga lodhja. Po shumica arrijnë të kthehen në foletë e mëparshme. Disa prej këtyre që shohim sonte këtu, do të kthehen në pranverë e do të lëshojnë përsëri vezët në çerdhet e ballkonit tonë.
- Po ku e kalojnë dimrin?
- Në vendet e ngrohta, atje ku nuk bën dimër, në Egjipt, tutje në Afrikë e ku të munden.
- Po në Amerikë, a shkojnë në Amerikë?
- Shkojnë edhe atje, posi. Edhe në Kanada e Australi shkojnë.
Plaku përgjigjet me indiferencë dhe disi i bezdisur, pa i ngritur sytë nga gazeta. Ai po lexon kronikën e zezë që ka zënë gjysmën e faqes së parë.
Plaka vazhdon në të sajën:
- Po t’iu lidhësh një letër në këmbë, a e çojnë në Amerikë?
- Sigurisht. Drejt e në dritaren e Luanit e të nuses së tij. Pastaj ulen e bisedojnë, iu tregojnë se si ia kalojmë ne këtu në ballkon, nusja i qeras me çokollata dhe pastaj largohen e vijnë të na tregojnë neve për andej.
- Ti tallesh me mua. Unë bëra shaka, po ti gjithnjë i merr me të qeshur ato që them unë. Kur kam qenë mësuese u tregoja nxënësve se dikur pëllumbat i përdornin për të dërguar letra. Unë këto i kisha lexuar në libra.
- Pëllumbat po, por jo dallëndyshet, - saktëson plaku me të qeshur. Pse, ke qenë ndonjëherë mësuese ti?
- Po ti ke qënë ndonjëherë avokat? Ti tallesh, po mua këto dallëndyshet më duken me të vërtetë të mençura. Ato bëjnë gjithë ato rrugë, kalojnë detet, por shtëpinë e tyre nuk e harrojnë. Ti thua se ato përsëri kthehen në foletë e veta. Apo jo?
- Zogjtë janë më të kujdesshëm se njerëzit, Lejla. Ata shkojnë nga shkojnë, po kurrë nuk i harrojnë çerdhet e tyre.
- Si s’na e bëri një telefon?
- Cili?
- Ai i vogli, pra. Ne e uruam për ditëlindjen, ai ka patur ditëlindjen të shtunën që kaloi, ju bëftë nëna!
- Për atë Karlsonin, thua?
- Nuk ia zë dot emrin po për atë e kisha fjalën. Atë të voglin e pashë në ëndërr, ja, ashtu siç është në fotografi. Nuk po kuptoja ku isha, këtu apo atje. Ai erdhi të më përqafojë, po sesi më iku, unë shtriva duart, po ai më iku dhe nuk u çmalla me të. Ky i shkretë gju ma nxori gjumin e s’më la ta vazhdoja ëndrrën.
- Po vizë e biletë aeroplani a kishe?
- Kisha, posi!
- Atëherë pse mërzitesh? Ti e paske parë mbrëmë. Çfarë telefoni pret? Po unë që nuk shoh as ëndrra? Edhe kur më fekset ndonjë turbullirë në gjumë, e harroj sapo zgjohem e s’mbaj mend asgjë. I more ilaçet?
- I mora të shkretat, i mora.
- Të gjitha ngjyrat?
- Nuk i vura re ngjyrat. I mora ashtu siç i ke ndarë ti në qeska. Ngjyrat i harroj. Ai i vogli mbrëmë...
- Përsëri ti? Po ç’ke ti moj që shqetësohesh? Ata do të vijnë ndonjë ditë, do të na përkëdhelin, do të na pyesin për shëndetin, do të na sjellin...
- Po kurë de?
- Ajo “kura” nuk dihet. Zogjtë ne i shohim kur ngrihen e fluturojnë, po kur do të kthehen ne nuk e dimë. Nuk na thonë, se edhe ata vetë nuk e dinë. Të rinjtë nuk e masin kohën se e kanë me bollëk, ndryshe nga ne pleqtë që i kemi ditët të numëruara e s’na pritet. Prindi e vuan ikjen e fëmijës, fëmijët nuk e vuajnë moskthimin.
- Mbrëmë ai i vogli...
Plakës i ngjiret zëri. Nuk e vazhdon dot frazën.
- Po ç’ke moj? Ta kam thënë njëqind herë. Kur të kthehen ai do të jetë rritur e bërë burrë. S’do të jetë më i vogël.
- Po a do të jem unë, se!
- Po edhe në mos qofshim ne, rruga plot me njerëz do të jetë. Ne nuk e kemi marrë me tapi.
- U dogja për atë të voglin, ta shoh si është. Kujt i ngjan. Kam menduar diçka. Unë e di se ti nuk je dakord, po do ta them.
- Hë, de, fol!
- Ti mos më qesh. Po sikurë ti njoftojmë se nëna është shumë e sëmurë, në gradë të fundit? Si thua, a vijnë?
- Nuk besoj. Sa herë sëmuremi ne...
- Po sikur t’iu thuash se nëna vdiq?
- Atëherë po, mund të vijnë.
- E ç’më duhen mua pasi të kem vdekur? Më mirë të vijnë njëherë sa jam gjallë dhe le të mos vijnë fare kur të vdes... Shiko njëherë se po bie dera. Dikush erdhi.
Plaku ngrihet përsëri e del në korridor. Askush!
Një papagall i madh prej allçie, i ulur mbi një komodinë demode në qoshen e korridorit, pranë derës, vështron si gjithnjë me indiferencë. Ai vështrim i ftohtë binte mbi avokatin si mbi një mobilie të vjetër. Edhe herë të tjera ai ndjente një farë shqetësimi nga ato vështrime, por kësaj radhe iu duk se papagalli i lëvizi sytë e tij të mëdhenj ngjyrë gri dhe po tallej me plakun që hapte e mbyllte derën, kot së koti.
- E more, pse mi zgurdullon ata sy si idiot? Do të ikësh edhe ti? Ik! Kush të mban! Mbathja! Çaje ferrën edhe ti! Veç kujdes se në pyll ka edhe dhelpra e të hanë me gjithë pupla. Mos thuaj se s’të paralajmërova. Budalla! Shko, se je vonuar dhe ti kanë zënë të gjitha vendet. Ik! Gjeje edhe ti parajsën, posi, posi!
- Kush erdhi? – dëgjohet zëri i plakës që nga ballkoni. Asaj nuk i durohet.
- Erdhi Askushi. Po më pyet si e ke zonjën.
- Mos u tall. Me kë po flet?
- Me veten time po flas.
- Më shave mua se të mundova?
- Në asnjë mënyrë. Si të shaj unë trëndafilen time?
- Pa shaka, me cilin po flisje, - ngulte këmbë plaka.
- Të thashë moj e uruar, fola me veten time. Prapë të kanë bërë veshët, moj Lejla trëndafilja! Ti mendjen te dera e ke. Apo nuk i ke ata veshët pipëz. Edhe lëvizjet e maces të vijnë si të trokitura në derë. Nuk do të ishte keq sikur të futësh një çikë pambuk në veshë e të rrimë rehat.
- Gjysmë uloge jam. Të pëlqen të më kesh edhe shurdhe?
- Do më mundoje më pak. U bëra gardian. Shurdhët janë njerëz të lumtur. Nuk e di ti këtë? Ata kanë privilegjin të mos i dëgjojnë as ata që mbajnë fjalime në Kuvend, as ulërimat e makinave.
- Po sikur të isha edhe qorre, do të të pëlqente?
- Akoma më e lumtur do të ishe. Se nuk do të shihje as kryeministrin në televizor.
- Mos luaj me mua, se ti kishe për t’i hequr të gjitha. Me kë fole kur dole te dera?
- Fola me veten time. Ja me kë fola. Ti do të më mohosh të drejtën e fjalës? Kisha nevojë t’i flas vetes time dhe i fola.
- Kur ke nevojë të flasësh, fol me mua.
- Ato janë disa sekrete që nuk mund të t’i them ty.
- Paske dhe sekrete që nuk m’i ke thënë ende?
- Pse, si kujtove ti, se unë t’i kam thënë të gjitha?
Këtë përgjigje plaku e jep si me shaka, por ai po thoshte një të vërtetë. Ai e ka zakon të flasë me vete sa herë i vijnë mendime, të cilat ose nuk ka se kujt t’ia shprehë ose thjesht për të larguar mërzinë. Kur mendimet i shpreh me zë i duket se janë më të qarta, më të plota dhe ngjisin atje ku duhet. Të paktën kështu mendon ai. Kishte qenë avokat për njëzet e ca vjet prandaj i jepte edhe definicion teorik të folurës me veten. Të flasësh me vete, sipas tij, do të thotë jo vetëm të flasësh për vete. Kur flet, shpreh edhe ato mendime që nuk ia ke thënë kurrë askujt dhe nuk do t’i thuash ndofta asnjëherë. ǒka nuk thuhet në prezencë, mund të thuhet lirisht në distancë. Dhe këto gjëra plaka nuk ka nevojë t’i dijë. Shpesh njeriu vihet ballë për ballë me realitete që nuk mund dhe nuk duhet t’i shprehë me të tjerët. Me vetveten njeriu është në raporte krejt intime dhe vetëm atëherë është plotësisht i sinqertë. Në asnjë rast tjetër. Njeriu ka do qoshe të errëta që nuk i pëlqen t’i trazojë, aq më tepër t’i diskutojë me të tjerë. Ato qoshe kanë ekzistuar, madje edhe krijohen rishtas, por janë vetëm për atë. Mendja fluturon pa të marrë leje. Ku nuk vete! Ti ke gruan dhe gruaja ka bashkëshortin me të cilin jeton tridhjetë apo edhe pesëdhjetë vjet. Por asnjëherë nuk i mëson të gjitha për bashkëshortin. Secili ruan diçka për veten. E ruan sepse ndriçimi i këtyre qosheve të errëta nuk i shërben asgjëje. Është si gërricja e një plage që ka zënë kore por, po e trazove mund të degjenerojë në plagë të pashërueshme. Dhe pse? Kot, për hiç gjë. Ndonjëherë mjaftojnë vetëm dy fjalë që të prishesh edhe me njeriun më të dashur. Këtë teori avokati e shprehte edhe në bisedat me të tjerët, sa herë i paraqitej rasti, megjithëse rastet tashmë ishin rralluar skajshëm. Panteoni i moshatarëve të tij po shkonte drejt mbylljes. Ish juristit i kish mbetur vetëm zakoni i të lexuarit, çfarë t’i vijë në dorë, sidomos kronikën e zezë që i del para në çdo gazetë, aty te qoshku ku shet Abdyli. Dikur, si avokat, interpretonte ligje, ndërhynte në çështje që kishin të bënin me fatin e të tjerëve, herë duke mbrojtur ligjin dhe herë duke mbrojtur kriminelin. Nuk i shqitej nga mendja një rast kur ishte bërë edhe gazi i të gjithë atyre që u ndodhën në sallën e gjyqit, duke përfshirë edhe trupin gjykues. Pacienti, një njëzet e shtatë vjeçar, kishte vrarë të dy prindërit e tij. Prokurori kishte kërkuar dënim të përjetshëm. Avokati duhet të thoshte disa fjalë në mbrojtje dhe, i zënë ngushtë, i kërkoi trupit gjykues të ketë mëshirë, sepse i pandehuri tashmë ishte... jetim! Këtë rast ia përmendnin avokatit sa herë donin ta ngacmonin dhe, edhe pse qeshte bashkë me të tjerët, nuk i pëlqente kur ia kujtonin. Dikur ai ushqehej me interpretimin e kronikës së zezë, ndërsa tani ajo i shërbente vetëm si një kalim kohe. Tani ai s’ka asgjë në dorë, as për vete, as për Lejlanë që është bërë gjysmë njeriu. Ka kohë që i ka kaluar të shtatëdhjetat, përpiqet t’iu përgjigjet tekave të bashkëshortes me të cilën është lidhur plot gjysmë shekulli më parë ose, siç thotë shpesh, “qysh në lashtësi”. Dhe vetëm kaq. Atë e shqetësonte edhe heshtja e telefonit. Të njohurit dhe shokët e punës janë rralluar. Pamundësia e bashkëshortes për të lëvizur e kishte kufizuar edhe daljen e tij në rrugë. Dalëngadalë mbi të po binte heshtja e përgjithshme, ashtu si muzgu i mbrëmjes. E gjithë jeta e tij po mbështillej me një tis të murrmë që i rëndonte në shpirt. Diku kish lexuar, vite më parë, se në një qytet amerikan, një biznesmen i shkathët kishte ngritur një axhensi telefonike për lidhjet me pleqtë e vetmuar. Aty punonin disa vajza dhe ato, kundrejt një pagesë të përmuajshme, u telefononin klientëve dy herë në ditë: Në mëngjes dhe në darkë, u thonin disa fjalë të ëmbla. Pleqtë e mbyllur diku në apartamentet e tyre kënaqeshin kur dëgjonin një zë femre që interesohej për shëndetin e tyre: Alo, Xhek, si jeni sot? Ky zë që vinte nga një krijesë e qeshur i lidhte ata me botën. Në qoftë se në apartamentin e Xhekut nuk përgjigjej njeri as në mëngjes as në mbrëmje, atëherë diçka duhet të ketë ndodhur dhe axhensia ishte e detyruar të njoftojë policinë për të parë se çfarë ka ngjarë. Avokati mendonte t’ia propozonte organizimin e një shërbimi të tillë edhe ndonjërit prej biznesmenëve të qytetit të tij. Ai ishte gati të paguante diçka, vetëm e vetëm t’i bjerë zilja e telefonit dy herë në ditë dhe dikush të interesohet dhe t’i thotë “Natën e mirë!” apo “Mirëmëngjes!”.
Plaka, gjysmë e paralizuar, endet si hije nëpër shtëpi, e mbështetur mbi një patericë. Ajo nuk e urdhëron dot këmbën e djathtë. Lëvizjet e saj nëpër ato dhoma gjysmë të errëta, gri, me ajër të rëndë që të shpon hundët, si ai i çdo shtëpie që ka ndenjur mbyllur për një kohë të gjatë, të jep përshtypjen e një murgeshe të harruar në një manastir që frekuentohet rrallë, diku në një qoshe të botës. Lëvizjet e saj si prej fantazme thuajse nuk dëgjohen fare. Ajo nuk ecën por endet si merimanga në pëlhurën e vet, sytë e saj vezullojnë turbull si drita e zbehtë e qiririt që është në të shuar. Edhe ajo, herë pas here flet me vete, por ajo flet me një objekt konkret, me fotografitë e djalit, nuses dhe dy nipërve që nuk i ka parë kurrë. Atë fotografi kolektive ajo e trajton si një qenie me frymë. E vërtit nëpër duar, e fshin se mos i ka rënë pluhuri, e puth lehtas, i thotë po ato fjalë e lutje që i ka thënë edhe dje, edhe pardje dhe pastaj e vë përsëri atje ku e mori. Biseda e plakës me fotografinë është aq e shtruar dhe e qartë saqë po të jesh në dhomën ngjitur, të duket se djali, nusja dhe dy nipërit ndodhen aty.
Plaku është mësuar me këto monologje dhe as që i bie në sy. Më mirë le të flasë se sa të heshtë. Një shtëpi ku sundon heshtja kthehet në kishë. Heshtja t’i bren kockat, të ndryshk. Megjithatë atij nuk i rrihet dhe herë pas here lëshon ndonjë romuze, si replikë për monologët e Lejlasë.
- I ati në vend, - vazhdon plaka bisedën me fotografinë – Ja, ky i vogli ka hundën, buzët dhe flokët e Luanit. Krejt i ati. Hë, çfarë do ti thuash gjyshes kur ta takosh?
- Asgjë nuk do të të thotë, plakë! Ai nuk e di gjuhën tënde dhe ti nuk e di gjuhën e tij.
- Unë jam gjyshja – thotë Lejlaja.
- Ashtu thua ti, po atje gjyshes nuk i thonë gjyshe.
- Po si i thonë?
- I thonë ndryshe. Të kam thënë njëqind herë, ulu e mëso gjuhë të huaja, ndryshe nuk i ke punët mirë.
- Posi, posi. Përrallat e tua. Edhe ata shqiptarë janë.
- Ashtu, ashtu është. Shqiptarë kanë qenë.
Plaka nuk e kap dot kohën e foljes “kanë qenë”. Ajo e merr përsëri fotografinë, e fshin me dorë e pastaj e ve përpara, ndërsa rri gjysmë e shtrirë në shezllon.
- Lëre një herë atë gazetë e na thuaj ndonjë fjalë, se u bëmë memecë.
- Po ta lë gazetën, ashtu siç thua ti, çfarë fjalësh mund të them? Ja, po të mos ishte gazeta, nga do ta merrja vesh vdekjen e Sotirit të gjorë?
- Cili Sotir?
- Ai plaku, inxhinieri elektrik që na rregulloi prizat para Vitit të Ri. Nuk të kujtohet? S’ka as tre muaj. Tullac me gjyzlykë. Dy rrugica më tej e ka shtëpinë. Para se të dalësh te 21-shi.
- Po çfarë thotë gazeta, pse vdiq i shkreti?
- I desh qejfi dhe vdiq. Edhe vdekja i kish mbetur pa provuar dhe e provoi. Jeta është si fija e perit: tërhiq-tërhiq dhe një ditë hollohet e këputet.
- Po ai dukej mirë, kur ishte te ne?
- E ç’ mirë, moj e uruar, kohët e fundit e shihja kur rrinte te dera e shtëpisë, në qoshe të rrugës, ulej në një stol e vështronte kalimtarët. Vinte këmbën mbi këmbë dhe me dorën e majtë fërkonte gishtat e këmbës së djathtë. I vështronte kalimtarët drejt në sy se donte ta përshëndeste dikush. Po harroj të flasë, më tha atë ditë kur erdhi tek ne për prizat.
- Sikur na pat thënë se i kishte dy djem jashtë. A ishin këtu kur vdiq?
- Mua më tha se jetonte vetëm. Fotografitë e djemve i mbaj varur në mur, më thoshte. Disa herë e kam takuar edhe më vonë. Dy javë më parë kemi pirë edhe kafe bashkë. Vuante nga astma. Dal rrallë, më tha. Kam frikë. E paskan gjetur pas tre ditësh. Të vdekur.
- Po ku e gjetën?
- Në shtëpi e gjetën. Më mirë ta kishin gjetur në ndonjë trotuar se nuk do ta linin tre ditë të vdekur.
- Komshija e gjeti?
- E kishte parashikuar, i gjori, po nuk i eci. Gazeta thotë se një kopje të çelësave të shtëpisë ia kishte lënë furrxhiut, një shoku të tij dhe ai shkonte çdo mëngjes e hapte portën. Ditët e fundit furrxhiu paska shkuar në një dasmë në Pogradec dhe kur ka ardhur e paska gjetur të vdekur. Pas tre ditësh.
- Kush e varrosi?
- Po të vdesësh nuk të lënë pa varrosur.
- Po djemtë, i erdhën?
- Gazeta nuk thotë asgjë. Gazeta s’merret me djemtë. Edhe sikur të kenë ardhur. Çfarë do t’i bënin djemtë? E lëmë këtë muhabet. Gazetat kësi lajmesh duan. Çfarë do të hamë sonte?
- Kos. Ke marrë kos?
- Ka ngelur nga dje. Të ta sjell këtu apo do të vish në aneks?
- Këtu ma bjerë. Djemtë nuk i kishin ardhur, ë?
- Kujt?
- Atij Sotirit, pra!
- Ta thashë një herë. Gazeta nuk thotë gjë. Nga ta di unë? Kam faj unë që të tregoj gjëra të tilla. Ty tani aty të rreh mendja.
- Po si vdiq kaq shpejt, xhanëm?
- Ti thua shpejt, po për atë ka qënë tamam në kohë. Ndryshe nuk vdiste. Ne jemi mysafir te vdekja, plakë! Kur ti teket asaj na thotë: Pa lirojeni vendin se do ulen të tjerët këtu. Mbaroi afati, kaq e kishe licencën!
- Sa është ora tani te Agimi?
- Tani ata po shkojnë në punë.
- Pse s’ka natë atje? Kur flenë?
- Atje ka vetëm ditë.
- Po kur flenë?
Plaku s’ia vë veshin fare. Plaka i di të gjitha përgjigjet për ato që pyet, po do muhabet.
- Si nuk u shkëput ky njeri nga gazeta? Çfarë thotë ajo gazetë e shkretë?
- Asgjë. Gjepura.
- Pse i lexon, harxhon parat kot.
- S’rri dot. Edhe gënjeshtrat sikur më bëjnë shoqëri!
Fillon të erret. Duket sikur ai pluhuri i rrugës është dendësuar e ka marrë ngjyrë të zezë. Nëpër dritaret ndizen ca drita verdhacuke. Nga larg dëgjohen melodi të vakëta.
- Po kjo muzikë, nga vjen?
- Lokalet e rrugës.
- Çfarë bëhet atje?
- Kërcejnë!
- Pse, kërcehet në lokal?
Plaku hesht. Kush e di sa herë u është përgjigjur këtyre pyetjeve.
- Po ajo plaka, lypsja, iku nga qoshja e rrugës apo fle gjithë natën aty?
- Me siguri ka marrë diçka se e dëgjova të këndonte. Ia kish marrë një kënge fshatarçe.
- Sa e lumtur duhet të jetë. Gjithë ditën i lutet Zotit, u flet gjithë udhëtarëve, sheh dynjanë dhe diçka i japin.
- Pse nuk e thërret ndonjë herë që nga ballkoni të të vijë e të bisedosh me të?
- Ajo punon, si ta lërë punën? Këmbët i ka të shëndosha, jo si unë... Ata tanët, si thua, do të kthehen ndonjë herë?
- Do të kthehen kur të lirohet sallami edhe këtu. Atje ku janë ata, sallami shitet më lirë.
- Pse, për sallam kanë shkuar?
- Po për çfarë?
Plaku fundoset përsëri në faqet e gazetës.
- Dera! A nuk e dëgjon?
- Me siguri është macja. Ka bërë ndonjë rreng në aneks.
Plaku hedh gazetën dhe ngrihet e del në korridor. Askush. Edhe macja nuk duket gjëkundi. Vepron si tinzare, laneti, - tha plaku nëpër dhëmbë.
- Kush ishte?
- Ishte fqinji ynë i përhershëm. Askushi! Ti e njeh apo jo?
Në ballkonin e rrethuar me parmakë hekuri të ndryshkur, ata hanin darkën nën dritën e ftohtë të muzgut, duke vështruar vetullën e hënëzës në qiellin e zbrazur e të qetë. Vështrimi kalonte pastaj në rrugicën e ngushtë e të ndotur, në anë të së cilës zgjatej gardhi i leckosur i veshur me pluhur. Në këtë orë dilte edhe ylli polar që duket se nuk lëviz nga vendi, por pas një apo dy orëve, ai i afrohet vijës së horizontit perëndimor. Në këto orë të muzgut zbrastësira dhe ankthi bëheshin më të ndjeshëm, brenga dhe trishtimi depërton në zemër pa e kuptuar shkakun direkt. Për ta ndjerë veten, plaka shtrëngonte duart në hekurin e ftohtë të parmakëve dhe e përqendron vështrimin në fenerin e vetëm në qoshe të rrugës.
- Më mirë hyjmë brenda, thotë plaku. Me rënien e muzgut shtohet lagështira e ajrit dhe s’do flemë gjithë natën nga ajo reumatizma jote.
Ata tërhiqen nga ballkoni. Tashmë rrugicat përreth janë kredhur në errësirë dhe toka me qiellin janë shkrirë e bërë një. Hëna sonte është gjysmë. Ajo i hedh ndonjë vështrim kalimthi Tokës dhe sakaq fshihet sërish pas reve. Retë zhvendosen me përtesë drejt lindjes dhe Hëna vrapon në drejtim të kundërt.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›