E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitje me armë në filialin e Raiffeisen Bank, largohet autori

Grabitësi qëlloi në ajër dhe e detyroi arkëtaren t’i jepte lekët. Identikiti, grabitësi është i ri në moshë dhe me shtat të shkurtër

Tiranë – Ka rënë dje sërish pre e një grabitjeje spektakolare filiali i Raiffeisen Bank, në afërsi të Rrugës Bardhyl. Ora shënonte 14:15 kur një person i armatosur dhe me maskë ka hyrë në ambientet e filialit, ku pasi ka qëlluar në ajër, ka kërcënuar arkëtaren që t’i jepte lekët që kishte në gjendje. Grabitësi ndoshta nuk e kishte pasur seriozisht kërcënimin që po i bënte arkëtares, por e shtëna e tij në ajër e ka detyruar vajzën t’i jepte plot 500 mijë lekë. Grabitësi është larguar menjëherë nga banka, ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje dhe oficerët e saj nisën, si gjithnjë, punën për të mbledhur prova dhe gjurmë, të cilat do të çojnë më pas në identifikimin e autorit të grabitjes.
Ngjarja
Lajmin e konfirmoi zyrtarisht një burim zyrtar i Policisë së Tiranës, i cili tha se “është grabitur një shumë ende e papërcaktuar saktësisht nga sporteli i një prej filialeve të Raiffeisen Bank në kryeqytet, pranë Rrugës Bardhyl”. Policia dyshon se ishte një person i vetëm ai që hyri në bankë i maskuar urdhëroi punonjësen që të dorëzonte paratë që ndodheshin në kasë dhe u largua menjëherë, duke qëlluar madje një plumb në ajër, në ikje e sipër. Besohet se i dyshuari është ndihmuar nga bashkëpunëtorë të tjerë. Dëshmitarët thanë se i dyshuari u largua nga rrugicat duke vrapuar, pa e hequr maskën dhe duke e mbajtur sërish në gatishmëri armën e tij.
Identikiti
Autori i grabitjes me armë zjarri dje në kryeqytet është një person në moshë të re, me trup të vogël dhe besohet të jetë i ardhur në Tiranë. Këto janë të dhënat e para nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes. Zyrtarisht policia tha se kamerat që gjenden në filialin e bankës nuk kanë arritur ta identifikojnë autorin, pasi ai ishte maskuar. Në të vërtetë, sipas dëshmitarëve,në vendngjarje dhe punonjësve të filialit bankar, autori e kishte mbuluar fytyrën e tij me një bluzë golf, duke u përpjekur që të mos identifikohej nga askush. Skena e grabitjes ka qenë ajo klasike, që rëndom ndodh në bankat e vendeve të ndryshme europiane, sidomos në fqinjin tonë, Greqi. Vetëm pak javë më parë, një bankë greke u grabit në fillim të rrugës Tiranë-Durrës.

Avokati i Popullit denoncon keqtrajtimin e një 20-vjeçari në dhomat e ndalimit në Shkodër

Tiranë - Avokati i Popullit ka denoncuar dje një tjetër rast të keqtrajtimit në dhomat e ndalimit. Gjatë një inspektimi në Policinë e Shkodrës, Emir Dobjani ka vërejtur se një 20-vjeçar me dëmtime në trup, pasi ndaj tij ishte përdorur dhunë nga uniformat blu. Për të dytën herë Zyra e Avokatit të Popullit ka denoncuar rastin e një 20-vjeçari nga Shkodra, i cili ka pësuar dëmtime të shumta në trup si pasojë e dhunës që dy policë kanë ushtruar mbi të. Gjithçka është konstatuar nga inspektimi i djeshëm i Avokatit të Popullit në Drejtorinë e Policisë të Shkodrës. Sipas të dhënave nga zyra e Avokatit të Popullit, bëhet e ditur se i riu është me iniciale E. A., ndërkohë që dy policët që e kanë keqtrajtuar të riun janë E. C. dhe E. R. Ende nuk dihen arsyet pse 20-vjeçari ishte shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, por Avokati i Popullit po e shqyrton këtë rast. Ky është i dyti rast brenda pak ditëve ku uniformat blu keqtrajtojnë të ndaluar në ambientet e komisariateve. Pak ditë më parë mediat paraqitën rastin e të riut Aristidh Gluçaj në Sarandë, i cili u nxor në gjendje të fikëti nga salla e gjyqit si pasojë e dhunës policore.

I mori 35 mijë euro dhe u zhduk, hetim në gjendje të lirë ndërtuesit të rremë

Tiranë – Një 64-vjeçar do të hetohet në gjendje të lirë për vjedhje me anë të mashtrimit. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se pas denoncimit të një qytetari të mashtruar me jo pak, por 35 mijë euro, me premtimin e shitjes së një apartamenti në kryeqytet, prokuroria ka nisur hetimet për Xhemal Hotin. Drejtues të uniformave blu konfirmuan se specialistët e sektorit kundër Krimit Ekonomik e Financiar dërguan në Prokurorinë e Tiranës, për veprën penale të “mashtrimit”, dosjen në ngarkim të 64-vjeçarit, lindur në Lezhë dhe banues në Elbasan. Sipas policisë, i sipërcituari ka mashtruar një qytetar duke i marrë shumën 35 mijë euro, me pretendimin e shitjes së një apartamenti banimi në një pallat që do të ndërtonte në rrugën “At Gjergj Fishta”, por premtimi nuk është mbajtur dhe i dëmtuari ka bërë denoncimin në polici, duke iu dhënë mundësinë uniformave blu të nisnin hetimin.
Pas përfundimit të hetimeve Xhemal Hoti është dërguar në prokurori, ku do të hetohet në gjendje të lirë.

22 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›