E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi i vizituar nga 5 000 turistë me kroçera dhe jahte

Më shumë se 80 për qind e kroçerave dhe jahteve turistike mësohet se kanë mbërritur në Durrës gjatë stinës së verë. Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur nga Franca, Gjermania, SHBA, Finlanda, Rusia, si dhe nga vende të tjera të Evropës. Vetëm kroçera “Arion” në kuadër të tureve turistikë mesdhetarë ka kryer 13 lundrime drejt Durrësit.
     
Gjatë qëndrimit në Shqipëri grupet e turistëve të huaj, në bashkëpunim me agjencitë shqiptare turistike, kanë vizituar qendrat historike dhe arkeologjike të Durrësit, Krujës dhe Tiranës.
     
Burimet e Policisë Kufitare thonë se pas qëndrimeve 1-2-ditore, kroçerat e mëdha me gjatësi deri në 140 metra u janë drejtuar porteve turistike të vendeve fqinje, si Korfuzi (Greqi), Venecia (Itali), Dubrovniku (Kroaci), Bar (Mali i Zi), etj.
     
Shumë turistë që kanë preferuar të lundrojnë drejt Durrësit me jahte private janë ankoruar në portin detar nga 1-4 ditë. Sipas burimeve, 146 jahtet turistike të regjistruara në pikën e kontrollit kufitar kanë lundruar shpesh herë edhe në drejtim të porteve të Shëngjinit, Vlorës, Orikumit apo Sarandës.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›