Konflikti për pronën, vritet 70-vjeçari Aliko Malaj
Konflikti i pronësisë ka shënuar dje viktimën e radhës në Poçem të Mallakastrës. Gjatë një debati disaditor për një pronë të pretenduar nga viktima dhe autori i ngjarjes, ky i fundit ka qëlluar me pistoletë “TT” xhaxhanë e kreut të Prokurorisë së Vlorës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja e rëndë është shënuar në orët e mesditës së djeshme në fshatin Poçem të Komunës Klos në rrethin e Mallakastrës. Konflikti për një sipërfaqe toke i ka marrë jetën një 70-vjeçari, Aliko Malaj, ndërsa brenda pak minutash është vënë në pranga autori i dyshuar, i cili mësohet të ketë pranuar autorësinë e krimit para policisë. Madje, gjatë marrjes në pyetje mësohet të jetë shprehur për paramendimin e kryerjes së vrasjes, me arsyetimin se “nuk mund ta duroja këtë gjë dhe zgjidhje nuk po gjeja, kështu që mora vendim ta vras. Edhe pse kisha debatuar disa herë me viktimën, ai nuk hiqte dorë dhe më thoshte se toka ishte e tij dhe aty mund të ndërtonte çfarë të donte ai”. Fakti konfirmohet edhe nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier.
Konflikti
Sipas burimeve zyrtare policore, mësohet se Përparim Merkaj, 60 vjeç, kish pasur konflikt për një sipërfaqe toke me bashkëfshatarin e tij, Aliko Malaj (xhaxhai i prokurorit të Vlorës, Sokol Malaj). Rreth mesditës së djeshme, debati ka vijuar sërish mes dy palëve. Por, duke mos gjetur një zgjidhje, Merkaj ka nxjerrë në shtëpi një pistoletë “TT” që e mbante pa leje dhe është nisur për nga toka e tij, për të cilën kishte pretendimin se ishte e tija, ku pa rivalin e tij, Malaj, që kishte shkuar më parë atje. Pasi i është afruar, ata kanë debatuar fare pak dhe më pas Përparimi ka nxjerrë pistoletën, duke e qëlluar tri herë në trup. Pasi ka parë që Malaj ka rënë përtokë, autori ka marrë rrugën për t’u kthyer në banesën e tij në fshatin Poçem, rreth 20 km larg qendrës së Ballshit. Burimet zyrtare të policisë Fier pohuan se pas marrjes vesh të lajmit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që kanë ngritur postblloqe policore për të ndaluar autorin e ngjarjes. Ata dyshonin se ai mund të dilte në rrugën nacionale e mund të largohej me automjete të rastit për t’i shpëtuar arrestimit. Por, policia ka mundur që ta ndalojë brenda një kohe mjaft të shkurtër autorin e ngjarjes, i cili u kap vetëm disa metra larg rrugës që e çonte atë në banesën e tij. Sipas policisë, Merkaj nuk ka bërë asnjë rezistencë kundrejt uniformave blu, por në momentin që është vënë në pranga ka dorëzuar edhe armën e zjarrit pistoletë “TT”, të cilën e mbante pa leje, konkretisht armën e krimit. Po sipas të njëjtave burime policore, pohohet se konflikti ka qenë për një sipërfaqe toke, për të cilën kishin disa vjet që ziheshin. Gjatë këtyre viteve, autori i ngjarjes pretendonte se e kishte tokën e tij, por kjo e drejtë i është mohuar. Nga të dhënat e para mësohet se gjatë marrjes në pyetje, autori i ngjarjes e ka pranuar krimin. Ai ka pohuar se Malaj po kryente ndërtim në tokën që ai pretendonte se ishte e tija (autori i ngjarjes). “Nuk mund ta duroja këtë gjë dhe zgjidhje nuk po gjeja, kështu që mora vendim ta vras. Edhe pse kisha debatuar disa herë me viktimën, ai nuk hiqte dorë dhe më thoshte se toka ishte e tij dhe aty mund të ndërtonte çfarë të donte ai”, - mësohet të ketë deklaruar Merkaj para hetuesve. Për 60-vjeçarin tashmë është ngritur akuza paraprake e “vrasjes me paramendim”.