E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkurt rreth

Policia bashkiake bllokon me ganxhë makinat

ELBASAN - Gjatë ditës së enjte, policia bashkiake e Elbasanit ka filluar një................................... për bllokimin e makinave të parkuara në një pjesë të bulevardit "Qemal Stafa". Aksioni i policëve bashkiake është përqendruar tek mjetet që nuk kanë shlyer taksat. Në fakt, ky veprim i policëve bashkiakë është shoqëruar me kundërshtime nga drejtuesit e mjeteve, të cilët janë njohur edhe me një gjobë nga policët bashkiakë.

Aksioni i policisë bashkiake ka ndëshkuar në pjesën më të madhe makinat e pronarëve të dyqaneve dhe të zyrave të marra me qira që ndodhen në godinën e ndërtesës përgjatë një pjese të këtij bulevardi.

Gjithsesi, masat pritet të vazhdojnë deri në pagesat e taksës së parkimit pranë bashkisë me vlerën 1 500 lekë të reja. Kjo taksë i lejon drejtuesve të mjeteve të parkojnë në çdo shesh publik gjatë një viti. B.Nergjoni

------------------------------------------------------------------------------------------

Aksion kundër lojërave të fatit të paligjshme

ELBASAN - Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Policia Tatimore kanë ndërmarrë një aksion të përbashkët kundër pikave të lojërave të fatit që veprojnë në mënyrë të paligjshme.


Gjatë një kontrolli të ushtruar nga ana e specialistëve të krimit ekonomiko - financiar në bashkëpunim me specialistët e drejtorisë së Tatim-Taksave të Elbasanit në lagjen "28 Nëntori" u konstatua se në një nga lokalet e kësaj lagjeje kryhej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se janë bllokuar 8 pajisje lojërash fati kompjuterike në gjendje pune dhe një kompjuter për loto sporti.

Të gjitha materialet janë bllokuar në cilësinë e provës materiale dhe ndaj shtetasit Eduard Omeri, i cili e kishte marrë me qira lokalin në pronësi të Agim Korrës ka filluar procedimi penal për "organizimin e lotarive në mënyrë të paligjshme".

Mësohet se operacioni do të vazhdojë dhe kontrollet nga Seksioni kundër krimit ekonomik dhe degës së Tatimeve do të zhvendosen edhe në qytetet e tjera të qarkut të Elbasanit.

--------------------------------------------------------------------

Vodhi në Tiranë, prangoset në Skrapar


SKRAPAR- Razie Laze nga fshati Çerenisht i Skraparit, 34 vjeçe, nuk ka mundur t'i fshihet për një kohë të gjatë policisë, edhe pse vepra e kryer prej saj kishte ndodhur muaj më parë dhe në qytetin e Tiranës.

Që nga koha kur ajo kishte vjedhur në kryeqytet fshihej në fshatin e saj të lindjes ku edhe banonte, por që nga dita e mërkurë është rikthyer në kryeqytet. Por këtë herë e prangosur dhe për të vuajtur dënimin prej 3 muajsh heqje lirie. Laze është prangosur rreth orës 13:30 në vendbanimin e saj nga uniformat blu të qytetit të Çorovodës, pasi ajo është dënuar me tre muaj heqje lirie për veprën penale të "vjedhjes".


Largimi nga puna i një pedagogu-këshilltar ka çuar reagimin e këshilltarëve të tjerë në Vlorë

Vlorë, mblidhet këshilli bashkiak, mungon PD

VLORË - Këshilltarët bashkiakë socialistë dhe ata të LSI-së kanë qenë të bashkuar dje në qëndrimin e tyre ndaj drejtuesve të Universitetit të Vlorës për largimin nga puna të një këshilltari, ndërkohë që mbledhja është bojkotuar tërësisht nga këshilltarët e djathtë. Mbledhja jashtë radhe është cilësuar urgjente dhe e jashtëzakonshme dhe është kërkuar nga një e treta e anëtarëve. Në emër të grupit socialist kreu i këtij grupi, Eltar Deda, ka ftuar këshilltarët të mbajnë një qëndrim kolegjial.

Fakti që një anëtar i këshillit bashkiak është përjashtuar pse la mësimin në universitet për mbledhjen e këshillit bashkiak është quajtur nga Deda një atentat që i bëhet institucionit më prestigjioz të qeverisjes vendore, si dhe një rrezik për mosfunksionimin normal të aktivitet të këtij institucioni, të zgjedhur me votën e qytetarëve të Vlorës.

Këshilltarët thanë se nuk kanë dashur ta politizojnë aspak qëndrimin e tyre duke e shtrirë jashtë interesave individuale dhe tej politikës, por mungesa e këshilltarëve të djathtë në mbledhje e këshillit të djeshëm, si dhe e vetë drejtuesve të universitetit, është motivuar prej tyre si një presion i hapur politik, çka ka nisur të bëhet i dukshëm këtë fillim fushate. Këshilltarët janë shprehur të indinjuar nga mosreagimi i drejtuesve të universitetit, ndërsa kanë evidentuar se rasti nuk është i veçantë, por pjesë e trysnisë që po u ushtrohet disa pedagogëve, për të mos dhënë kontributin e tyre te partitë politike.

Në kërkesat e grupit që kërkoi këtë mbledhje urgjente janë renditur: rikthim në punë të këshilltarit socialist Sokol Gjika, rektori i universitetit të analizojë urdhrin dhe të mbajë qëndrim administrativ për shkarkimin dhe largimin nga puna të këshilltari,t si dhe në emër të institucionit që përfaqëson, t'i kërkojë falje publike këshillit të bashkisë, për incidentin e krijuar nga institucioni i tij.

----------------------------------------------------------------------------

Pranga për vjedhje studentit që u plagos nga e dashura

VLORË - Klaudio Kamberaj, 21-vjeçari student që u plagos me thikë në qafë pak javë më parë nga ish-e dashura e tij në ambientet e Universitetit të Vlorës, është bërë sërish i njohur te blutë e Vlorës. Këtë herë djali që u rrezikua seriozisht nga thika është kapur në tentativë për të vjedhur. Sipas policisë, Kamberaj është kapur gjatë orëve të natës së kaluar në afërsi të lagjes "24 Maji" gjatë kohës që po tentonte të hapte lokalin e shtetasit A Binjaku.


Kamberaj është pikasur nga grupi i gatshëm i policisë në afërsi të lokalit ku ka qënë së bashku me personat e tjerë në tentativë e sipër, çka ka evituar vjedhjen. Personat që ishin me të kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes pa u kapur. Mbi të rëndon akuza e vjedhjes në bashkëpunim.


Policia po punon për identifikimin e personave që ishin së bashku me 21-vjeçarin. Pak javë më parë, Kamberaj ishte viktimë e një agresioni me thikë nga ish-e dashura e tij, ngjarje që bëri bujë në Universitetin e Vlorës.

Pas plagosjes me thikë nga ish-e dashura gjatë një grindjeje midis tyre, 21-vjeçari student u përjashtua nga universiteti "Ismail Qemali" së bashku me vajzën që e qëlloi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›