E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi i policit arrestohet në bodrumin e sajuar

Mondi Muliu, 31 vjeç, i akuzuar për vrasjen e Arben Laskut, është arrrestur dje në mesditë nga njësia operacionale e kryeqytetit

I arrestuari akuzohet se bashkë me dy persona të tjerë, pas një grabitjeje vranë një polic dhe plagosën dy të tjerë


TIRANE- I dyshuari si vrasësi i një polici në vitin 1997, gjatë një përpjekjeje mes policisë dhe grabitësve, është arrestuar mesditën e djeshme nga blutë e kryeqytetit në një operacion të koduar prej tyre me emrin "Lapidari". Mondi Muliu, 31 vjeç, nga Shkodra, është arrestuar nga njësia e operacioneve speciale, në banesën e motrës së tij në afërsi të shkollës 9- vjeçare "Sabaudin Gabrani". Ai sipas burimeve, akuzohet për vrasjen e policit Arben Lasku, më 13 qershor të vitit 1997, gjatë një përpjekjeje të policisë për të goditur një grup grabitësish me armë. Arrestimi i Muliut, është kryer nga policia e Tiranës pas një urdhër arresti të firmosur në ngarkim të tij, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet. I arrestuari Muliu, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, akuzohet për veprat penale të "Vrasjes në rrethana cilësuese", në bashkëpunim, si dhe sulmit me armë zjarri për shkak të detyrës në krye të detyrës të punonjësve të Policisë. Vrasja për të cilën akuzohet i arrestuari, është ajo e policit Arben Lasku dhe plagosjes së dy kolegëve të tjerë të tij, Arben Paloci dhe Gjovalin Zali. Kërkimet për të, sipas burimeve të policisë, kishin disa muaj që kryheshin, por blutë kishin vështirësi pasi zotëronin për të një foto të vitit 1994, kur ai kishte qenë vetëm 17 vjeç, tërësisht ndryshe nga pamja e sotme. Dyshimet e policisë së Shkodrës, ishin se ai fshihej në mënyrë të periodike tek të afërm të ndryshëm, mes të cilëve edhe e motra e tij në Tiranë.

-------------------------------------------------------------------

Vëzhgimi

"U morën informacione për pjesëtarët e familjes së motrës së të kërkuarit dhe nga vëzhgimet u zbulua se ajo blinte birra dhe paketa apo edhe ushqime të tjera të cilat dyshohet se konsumoheshin për një "mik" të saj dhe jo për familjarë",- pohoi, për "Shekullin", një burim i policisë së kryeqytetit. Pas këtyre dyshimeve, blutë instaluan policët pranë banesës së motrës së 31-vjeçarit deri dy ditë më parë kur dhe ai u kap",- thanë për "Shekullin" burimet policore. Rreth mesditës të së mërkurës, policia qëndronte pranë banesës ku mendohej se fshihej Muliu që ndodhej në katin e parë të një pallati pranë "21 Dhjetorit" në kryeqytet. Gjatë kësaj kohe oficerët e vëzhgimit, kanë dalluar se të afërmit e familjes ku fshihej Muliu, blinin herë pas here birra, cigare apo sende të tjera. Kjo ka bërë që blutë të dyshonin edhe më tepër, por kanë pasur fare pak të dhëna për shkak të mungesës së fotos aktuale. Kur në një moment, i arrestuari ka lënë shtëpinë e së motrës, blutë e kanë vëzhguar mirë dhe janë munduar të krahasojnë pamjen me foton që kishin, ndërsa kanë gjetur elementë të ngjashëm. I kërkuari është ulur të pijë kafe ndërsa pas këtij momenti tre agjentët dhe oficerë, kanë mbërritur pa ftesë në tavolinën e tij. "Unë jam Mondi,- tha ai. Ne jemi policia"- mësohet se iu janë përgjigjur agjentët e vëzhgimit, ndërsa e kanë prangosur.

---------------------------------------------------------------


Fshehja në bodrumin e shtëpisë së motrës


Për shumë kohë ai kishte mundur të qëndronte në një bodrum shtesë të apartamentit të motrës së tij. Mondi Muliu akuzohet se ka vrarë punonjësin e policisë Arben Lasku. Ngjarja ka ndodhur më 13 qershor të vitit 1997 pranë një shkolle së mesme në Laç të Vaut të Dejës në Shkodër. Punonjësi i policisë, Lasku, ishte me shërbim në atë kohë për të ruajtur sigurinë në shkollën e mesme ku do të jepnin provim maturantët. Një bandë mes të cilëve ishte edhe Mond Muliu, ka gjuajtur në drejtim të punonjësve të policisë të cilët po ruanin maturantët. Pas një përleshjeje midis policisë dhe bandës, një plumb ka prekur në kokë Laskun, ndërsa i shpëtuan vdekjes dy policët e tjerë Arben Paloci dhe Gjovalin Zali. Zyrtarë të lartë të policisë së shtetit të asaj kohe u vunë në lëvizje për të marrë të gjitha masat me qëllim që t'i shpëtonin jetën policit duke vënë në dispozicion edhe helikopterë. Por ka qenë e kotë pasi plumbi ka shkaktuar hemorragji cerebrale duke i sjellë vdekjen Laskut pak orë më pas. Policia nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e ngjarjes të cilët kishin mundur të largoheshin. Pas hetimeve, policia mundi të identifikonte autorët dhe t'i shpallte në kërkim ata. Njëri prej tyre ishte Mond Muliu i cili u arrestua ditën e djeshme. Ai akuzohet gjithashtu edhe për veprat penale të "Vjedhjes me armë" dhe "armëmbajtjes pa leje".


--------------------------------------------------------------------------

Operacioni "Pirro"
Kapen në Lezhë 2 kg heroinë, 3 në pranga
Operacioni i koduar "Pirro" sekuestron 2 kile heroinë ndërsa çon në qeli tre persona. Specialistët Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorin e Krimeve të Rënda arrestuan ditën e djeshme tre persona si trafikantë të dyshuar të lëndëve narkotike. Pëllumb Jakupi, 50-vjeç, lindur dhe banues në Fier, Angjelin Ujka, 50-vjeç, lindur dhe banues ne Shkodër dhe Agim Kashari, 46-vjeç, lindur në Patos, Fier dhe banues në Koplik, Shkodër akuzohen për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike". Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se arrestimi i tre personave u krye dy ditë më parë në vendin quajtur fshati Ishull-Shëngjin në Lezhë, në afërsi të rotondos, pasi gjatë kontrollit të automjetit tip-Mercedes Benz me targë MA 2171 B, u gjetën të fshehura në pjesën e bagazhit të tij katër pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Pakot kishin një peshë prej 2 kilogram e 15 gram dhe një sasi prej 4 kilogram pluhur të dyshuar përzierës të lëndës narkotike. Agjentët e antidrogës prej disa kohësh kishin siguruar informacione në rrugë operative për "aktivitetin" e jashtëligjshëm në të cilin dyshohet se ishin implikuar tre personat. Policia është vënë në ndjekje të tyre për të verifikuar të dhënat me qëllim kapjen e të dyshuarve me "presh në duar". Burime nga policia thanë se në bazë të hetimeve u zbulua një rrugë që do të kryenin të dyshuarit drejt Lezhës duke bërë që forcat të policisë të vihen në lëvizje për të kryer kapjen e tyre. Automjeti me të cilin po udhëtonin tre personat Pëllumb Jakupi, Angjelin Ujka dhe Agim Kashari është ndaluar nga policia në fshatin Ishull-Shëngjin në Lezhë. Personat nuk kanë bërë rezistence në momentin e ndalimit, ndërsa policia ka ushtruar një kontroll të imtësishëm ku dhe ka zbuluar sasinë e drogës e dyshuar heroinë. Ndaj tyre u mor menjëherë masa e arrestit, ndërsa policia ndaloi edhe 24-vjeçarin Arbri Jakupi i cili dyshohet se ka qenë i implikuar në këtë rrjet të trafikimit të drogës. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale të arrestuarve iu sekuestrua lënda e narkotike, një pistoletë me silenciator tip-Berete, tetë copë fishekë, një automjet, dhe shtatë aparate celularë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›