E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, kapen tetë afganë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Shqipëria kthehet në stacionin transit të klandestinëve që tentojnë të kalojnë në shtete të ndryshme të Evropës.
Tetë emigrantë klandestinë nga Afganistani, janë ndaluar në pikën kufitare të Kapshticës. Dy nigerianët e ndaluar dy ditë më parë, pasi kishin qëllim kalimin transit në Shqipëri janë pasuar dje nga tetë shtetas afganë, të cilët kalonin në vendin tonë për të njëjtin qëllim. Lajmi për ndalimin e tyre është bërë i ditur nga burime pranë policisë së Devollit, sipas të cilave mësohet se klandestinët vinin të fshehur në një kamion nga Turqia.
Afganët
Tetë shetas nga Afganistani kanë hyrë dje në vendin tonë nga Turqia me qëllim për të kaluar në Itali. Burimet zyrtare të policisë së Devollit, njoftojnë se 8 klandestinët afganë, kishin si destinacion Italinë. Klandestinët afganë u gjetën të fshehur në një kamion me targa turke. Kamioni ishte ndaluar që të kontrollohej kur janë gjetur dhe emigrantët. Policia tha se ky është rasti i tretë i kapjes së emigrantëve ilegalë afganë në territorin shqiptar.
Nigerianët
Kanë zgjedhur aeroportin “Nënë Tereza” si portën për të kaluar në Britani të Madhe, por kanë përfunduar në prangat e policisë. Dy nigerianë janë arrestuar mesditën e djeshme pas një kontrolli rutinë të policisë së Rinasit, e cila ka konstatuar se dy personat, posedonin pasaporta angleze të falsifikuara. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë policisë së kryeqytetit, sipas të cilave mësohet se dy shetasit me kombësi nigerianë kanë hyrë në territorin tonë më 11 tetor të këtij viti. Dy nigerianët kishin hyrë në vendin tonë nga Turqia përmes një linje ajrore që operon mes dy vendeve. Pasi janë marrë në pyetje dhe dokumentet e tyre kanë kaluar në skanerin e policisë, ata janë kthyer sërish në vendin e tyre. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se Adekunle Stefen Adeniyi, e datëlindjes 02.02.1964, e cila është paraqitur me emrin Colins George Morris me pasaportë të falsifikuar angleze. Adams Ashmichael Iloba, i datëlindjes 20.09.1991, i cili është paraqitur me emrin Alexander David Akintola, i datëlindjes 22.12.1982 me pasaportë angleze të falsifikuar. Sipas të njëjtave burime dy shtetasit e huaj janë kthyer sërish në vendin e tyre.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›