E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shet 30 bileta false, përfundon në pranga

Autori i Lajmit: red.
Ka shfrytëzuar ardhjen e klubit të Milanit në Tiranë për të siguruar disa para, por ka përfunduar në prangat e policisë. Një 24-vjeçar është vënë në pranga dje pak pas përfundimit të takimit, pasi ka shitur 30 bileta false. Një operacion i posaçëm është zhvilluar dje nga specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik e Financiar, pas sinjaleve që ata kishin marrë se po shiteshin bileta false. Burime nga policia pohuan se kanë arrestuar gjatë aksionit të posaçëm, 24-vjeçarin Bledar Fejzo, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë, pasi e kapën në flagrancë në afërsi të Pallatit të Kongreseve duke shitur bileta të falsifikuara për ndeshjen e futbollit midis ekipeve Tirana-Milan. Sipas të njëjtave burime, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 33 bileta të falsifikuara si dhe shuma prej 18.400 lekësh dhe 100 euro, që policia tha se ishin fryt i shitjes së biletave false.
I arrestuari tani përballet me veprën penale të “Mashtrimit” dhe atë të “Falsifikimit të letrave me vlerë”, por policia tha se ende nuk ka arritur të zbulojë si u falsifikuan biletat, shtypshkronja që i prodhoi ato dhe rrjetin që realizoi shpërndarjen. Policia tha se dyshon shumë që me qindra bileta qarkulluan të falsifikuara dhe u shitën për tifozët por ajo pranoi se nuk është në gjendje të saktësojë sa ishte numri i tyre. Për ndeshjen u hodhën në treg bileta me vlerë 15 mijë lekë për tribunën, si dhe bileta me vlerë përkatësisht 5 mijë, 4 mijë dhe 3 mijë, për pjesët e tjera të stadiumit.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›