E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria, 20 vjet burg për David Braunin

Autori i Lajmit: red.
Prokuroria e Tiranës kërkoi të mërkurën dënimin me 20 vjet burg për shtetasin anglez David Braun, i cili akuzohet për abuzime me të mitur. Burime nga organi i gjyqësorit bëjnë të ditur se gjatë seancës së djeshme, përfaqësuesi i organit të akuzës lexoi konkluzionet përfundimtare të hetimit ndaj këtij shtetasi, duke kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin e tij me burg. Gjithashtu, Prokuroria kërkoi që i pandehuri Braun të izolohet në një burg të sigurisë së lartë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se seancën e radhës pritet të dëgjohen pretendimet e palës mbrojtëse dhe më pas Gjykata e Shkallës së Parë do të shpallë vendimin përfundimtar për këtë çështje. Burime nga Prokuroria pohojnë se David Braun është arrestuar nga Policia e Tiranës si i dyshuar për abuzime seksuale me fëmijët në ish-Qendrën Bamirëse "Fëmijët e tij", që kishte nën administrim disa vite më parë në Tiranë". Në proces gjykimi për këto abuzime janë edhe dy shtetas të tjerë anglezë, të cilët janë marrë me cilësinë e të pandehurit si bashkëpunëtorë të David Braunit.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›