E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, prezantohet drejtoresha e re, Gjeorgjina Kuli



Kuli e Godo: Mjekët, në krye të shëndetësisë

Pepa: Misioni është i vështirë

U prezantua dje përpara shefave të pavijoneve të QSUT-së, drejtoresha e re e këtij institucioni, prof. Gjeorgjina Kuli, e cila tashmë edhe zyrtarisht do të zëvendësojë z. Mati Pepa. Në fjalimin e saj të parë, si drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kule dhe ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo deklaruan se tashmë nuk ka më vend për jomjekët në krye të shëndetësisë, duke bërë të qartë se janë pikërisht shefat e pavijoneve dhe mjekët e tjerë të njohur, ata që duhet të drejtojnë postet e larta shëndetësore në vend.

Kuli: Drejtimi i QSUT-së, jo nga pakicat elitare

Gjeorgjina Kuli u prezantua nga ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo, në një ceremoni ku merrnin pjesë, përveç shefave të pavijoneve të QSUT-së, edhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, si edhe ish-drejtori i qendrës spitalore, z. Mati Pepa. Në fjalimin e saj të parë si drejtoreshë e spitalit më të madh në vend, Kuli bëri të ditur se shëndetësia duhet dhe do të drejtohet nga mjekët.

“Nuk është më koha e pakicave elitare dhe individëve të ngritur në kult, drejtimi i QSUT-së do të bëhet në staf dhe pjesëtarë të këtij stafi jeni ju shefat e shërbimeve”. Znj. Kuli shprehu besimin në mbështetjen e qeverisë, të Kryeministrit, por dhe profesorëve, bashkëkohësve, studentëve, të cilët kanë mbajtur historikisht punën e QSUT-së, si dhe në bashkëpunimin me Fakultetin e Mjekësisë, "sepse të gjithë kemi një qëllim të përbashkët, të përgatitjes së kuadrove të aftë, që t'i përgjigjen kërkesave bashkëkohore", - tha ajo.

Godo kërkon bashkëpunim mes mjekëve

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, duke prezantuar znj.Kuli në detyrën e re, kërkoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjithë mjekëve për përballimin e sfidave që ka përpara shëndetësia shqiptare.

“E kam thënë dhe më parë, koha e heronjve ka mbetur në mesjetë, por me këto vështirësi që ka shëndetësia unë e mora këtë drejtim, duke besuar e shpresuar fort në mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj që jeni personalitete më të larta të shëndetësisë”, - u shpreh znj. Godo.

Ajo u bëri thirrje atyre për të vënë në jetë energjitë, për të parë më mirë atë shëndetësi, së cilës gjithsecili prej tyre i ka kushtuar jetën. Duke u ndalur tek misioni i QSUT-së, ajo tha se “kjo është një qendër spitalore universitare e vetmja në vend, që ka përsipër të përmbushë tre atributet e saj diagnostiko-kurative, shkencore dhe didaktike dhe përmbushja e tyre është shumë e rëndësishme". Sipas saj, QSUT-ja është pasqyra e fitoreve dhe disfatave të shëndetësisë.

Ndërkohë, ish-drejtori Mati Pepa, duke uruar drejtoreshën e re për detyrën, vuri në dukje se, pavarësisht vështirësive të fundit, QSUT-ja ka patur arritje, por përsëri është larg asaj ku duhet të jetë një qendër spitalore universitare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›