E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë ; Gjurmë të reja mbi qytetërimin antik Lissus

Gjurmë të reja mbi qytetërimin e shekullit 3 – 1 p.e.s në zonën arkeologjike të Lezhës. Ekspedita shqiptaro-gjermane, e cila për të tretin vit radhazi, çdo muaj gusht vjen në Lezhë vazhdon të shohë gjurmë të reja mbi lashtësinë dhe qytetërimin e kësaj zone. Lashtësia e Akropolisit dhe Lissusit vazhdon të prodhojë fakte të reja të cilat e rendisin tashmë Lissusin antik ndër qytetet e para Ilire, si Durrësi, Apolonia, Shkodra, Berati, Butrinti, etj dhe të gjitha së bashku përbëjnë djepin e qytetërimit të Shqipërisë së lashtë.

Gjatë kësaj ekspedite Bashkim Lahi, arkeolog, një nga udhëheqësit e ekspeditës shprehet se, “këtë vit, në këtë fazë të gërmimeve jemi në gjurmët e një banese, e cila sipas parashikimeve të para mund t’i përkasë periudhës së gjysmës së parë të shekullit të dytë para erës sonë”.

Ekspedita është fryt i një bashkëpunimi afatgjatë të institutit gjerman dhe atij shqiptar dhe qëllimi i këtij projekti është pikërisht nxjerrja e të dhënave mbi këtë periudhë, e cila përkon pikërisht me shekullin e 3-1 para erës sonë. Projekti i punimeve arkeologjike në qytetin e Lezhës ka nisur në vitin 2006, ku u zbulua një mozaik i shek. II para Krishtit, me një mbishkrim. Arkeologët kanë konkluduar se Lezha është një vendbanim ilir.

Ndërsa zona ku po kryhen gërmimet ngjitur me vendvarrimin e Skënderbeut është pjesë e qytetit të poshtëm antik, pasi vetë periudha e krijimit të qytetit të lashtë të Lezhës së sotme ka tri periudha: - Akropoli i Lashtë, i cili në bazë të gjetjeve të mëparshme nga arkeologë dhe studiues, daton në shekullin 11-9 para Krishtit, më pas banorët e zhvendosën ndërtimin e qytetit në qytetin e mesëm, i ngritur në shekullin e 6-5 para Krishtit e më pas. Qyteti i poshtëm e porti lumor mbi të cilin ka ende 2 versione, të cilat paraqiten nga historianët vendas e të huaj.

“Versioni i parë flet për ndërtimin e Lissusit antik në vitin 385 para Krishtit nga Dionisi Plak, e ndërsa versioni i dytë flet për krijimin dhe ndërtimin e tij rreth viteve 250 para Krishtit si qytet i mirëfilltë Ilir”. Ekspedita do të përmbyllë gërmimet e saj në 28 gusht.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›