E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës: Forcat Detare, krenare për anëtarësimin në NATO

Ushtarakët e Forcave Detare, bashkë me festimet për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut Verior, kanë vazhduar përgatitjet për stërvitjet e përbashkëta me partnerët ushtarakë të NATO-s që do të fillojnë pas dhjetë ditëve. Në komandën e Brigadës detare në Plepa, 8 km larg Durrësit, oficerë, nënoficerë dhe detarë pasi ngrenë një dolli për ngjarjen e shënuar, iu kthehen përgatitjeve për stërvitjet e ardhshme, në të cilat do të përfshihen me përgjegjësinë që mbart statusi i anëtarit me të drejta të plota në Aleancën më të madhe ushtarake të globit. Komandanti i Brigadës detare, kapiten i rangut të parë, Kristaq Gerveni, tha se të gjithë ndihen krenarë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Hapat e parë drejt Aleancës i kemi hedhur që në vitin 1994, vijon ai, duke kujtuar bashkëpunimin e gjatë dhe frutdhënës me Forcat detare të SHBA, Italisë, Turqisë, Greqisë, Gjermanisë, etj.  "Modernizimi i forcave detare ka nisur me anijen e parë patrulluese 4207, që ka marrë emrin Iliria dhe që do të pasohet nga ndërtimi i tre anijeve të tjera të këtij tipi", thotë shefi i shtabit, Roland Nasto, duke shtuar se "në muajin maj në Pasha Liman do të fillojë ndërtimi i anijes së kësaj serie"."Ndërkaq Sistemi i Vëzhgimit të hapësirës detare Adriatiko-Joniane, që u realizua nga kompania Lockhed Martin, me financimin e qeverisë shqiptare, ka përfunduar", thotë Nasto. Gjatë tre muajve në vazhdim Forcat tona detare do të jenë përkrah partnerëve të rëndësishëm ushtarakë ndërkombëtarë në tre stërvitje të rëndësishme ushtarake dhe pikërisht  Albania-Lions 09,  JECT 09  dhe Adrion-Livex 09".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›