Sekretari i ri i NAT0, Rasmussen në vend të Scheffer
Pas debateve dhe kundërshtimeve të shumta nga ana e Turqisë, më në fund Anders Fogh Rasmussen, u zgjodh sekretar i ri i përgjithshëm i NATO-s. Liderët e NATO-s ranë dakord njëzëri për emërimin e kryeministrit danez, Anders Fogh Rasmussen si kreun e ardhshëm të Aleancës, i cili u mbështet edhe nga Turqia, edhe pse konsultimeve të shumta që vazhduan në Strasburg. Vërejtja kryesore e Turqisë ndaj kandidaturës së Rasmunssenit ishte botimi para katër vitesh në Danimarkë i karikaturave të Profetit Muhamed.
Pak pas zgjedhjes së Rasmusen, kryeministri turk Erdogan deklaroi se kishte vendosur të mbështesë zgjedhjen e tij pasi kishte biseduar me presidentin Obama, ku ky i fundit i ka dhënë garanci për kandidaturën e Rasmusen. Ndërsa disa javë më parë, kryeministri turk Tayyip Erdogan ka bërë publike kërkesën që vendet myslimane i kanë bërë Turqisë, për vendosjen e vetos së saj kundër kandidaturës së kryeministrit danez, Anders Fogh Rasmussen për postin e kreut të ardhshëm të NATO-s. Gjatë deklaratës së tij, Erdogan ka përmendur një bisedë telefonike të zhvilluar me Rasmussen, të cilit i kishte deklaruar se populli turk ishte i pakënaqur me qëndrimin e kryeministrit danez gjatë tensioneve që pasuan publikimin e disa karikaturave satirizuese të profetit Muhamed në një gazetë daneze në vitin 2006. Rasmussen refuzoi atëherë të kërkonte falje për karikaturat, që nxitën një valë protestash dhe sulmesh të dhunshme kundër ambasadave të Danimarkës në disa shtete myslimane. Pavarësisht këtyre, Turqia ka dhënë votën pro për sekretarin e ri të NATO- s. Kryeministri turk, Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia kishte hequr dorë nga kundërshtimi i saj ndaj emërimit të danezit Anders Fogh Rasmussen në postin e sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, pasi presidenti amerikan, Barack Obama u ishte përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga Ankaraja. Erdogan deklaroi se Turqia kishte marrë "garanci" nga Obama se njëri prej zëvendësve të Rasmussenit do të ishte turk dhe se komandantët turq do të ishin të pranishëm në komandën e aleancës. "U jam mirënjohës të gjithë kolegëve të mi për besimin që më dhanë duke më emëruar si sekretar të Përgjithshëm të NATO-s", ishin fjalët e para të kryeministrit danez, Anders Fogh Rasmussen, menjëherë pas deklaratës që bëri Scheffer për emërimin e tij në postin e kreut të ardhshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Rasmussen e cilësoi ditën e djeshme si historike dhe jo vetëm sepse një danez merr drejtimin e NATO-s, por sepse pikërisht dje u përshëndet edhe rikthimi i plotë i Francës në komandën e integruar të Aleancës. Presidenti amerikan, Obama ka uruar kryeministrin danez për postin e ri, dhe ka falënderuar Turqinë që i ka dhënë votën e saj. Sipas tij, Rasmussen është një eksponent i jashtëzakonshëm publik me reputacion të shkëlqyer duke deklaruar se është personi i duhur për drejtimin e NATO-s.