Demi: NATO, garancia për integrimin e shpejtë në BE
Kryetari i komisionit parlamentar të sigurisë Leonard Demi, e theksoi hyrjen e Shqipërisë në Aleancë, një garanci për integrimin e shpejtë të vendit në Bashkimin Europian. Ndër të tjera ai shtoi se Aleanca një nga pikat e saj kryesore ka zgjerimin, sipas konceptit gjeostrategjik të vitit 1991 dhe vende nga Amerika Veriore dhe Evropa mund të pranohen në organizatë kur plotësojnë tre kushte themelore: të jenë vende demokratike, të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të kenë shtet ligjor.
Në rajonin e Ballkanit, fatkeqësisht, ftesën e hyrjes nuk e ka marrë Maqedonia, e cila ka qenë anëtare e Kartës së Adriatikut. Në vitin 2002 Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nuk u kualifikuan për t'u bërë anëtarë të NATO-s, sepse nuk ishin gati, ndaj me mbështetjen e SHBA-së u krijua Karta e Adriatikut, e firmosur në Tiranë në maj 2003, e cila rrit bashkëpunimin mes këtyre vendeve në plotësimin e reformave, për anëtarësimin e shpejtë në Aleancë", tha Demi. Sipas tij, këtij procesi i kontribuoi dhe mbajtja në muajin mars në Tiranë e takimit të vendeve të Kartës, ku tashmë kanë aderuar dhe Mali i Zi e Bosnje-Hercegovina. Në fund të këtij takimi u miratua një dokument i përbashkët, ku vendet pjesëmarrëse zotohen të bashkëpunojnë dhe të ndajnë përvojën e tyre për integrimin e tyre në Aleancë.