E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër: NATO, entuziazëm dhe në qytetin e gurtë

Në orët e para të mëngjesit, kryetari i bashkisë, Flamur Bime, u shpreh për median vendase se, më në fund shqiptarët e kanë realizuar ëndrrën e tyre. Dua të ndaj këtë kënaqësi me ju, tashmë vendi ynë gëzon të drejta si dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s. Qyteti i Gjirokastrës, pasuri botërore e UNESCO-s ka kontribuar për këtë ëndërr prej vitesh dhe besoj, kjo është ajo çfarë ne kemi kërkuar. Vendosjen e marrëdhënieve ushtarake me NATO-n ai e sheh si një "ogur i mirë" për mbarë vendit, pasi sipas tij, shqiptarët sot kanë mbaruan pjesën e parë të përpjekjeve, ndërkohë që pritet, që brenda disa vitesh të mbarojnë pjesën e dytë, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Edhe rektori i Universitetit Eqrem Çabej Gëzim Sala, e vlerëson përpjekjen e  shqiptareve dhe konkretizimin në anëtarësimin në NATO, si ëndërr e rilindësve.
Shqipëria gjatë periudhës së fundit një-shekullore ka përjetuar tre evenimente të rëndësishme historike, thotë ai duke shpjeguar se, pas Shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912 dhe Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, tashmë 4 prilli është një tjetër ngjarje që do të shënohet në kalendarin historik. Shqiptarët vazhdimisht kanë luftuar për të ndërtuar një komb të civilizuar dhe besoj se tashmë erdhi momenti i duhur, thotë ai. Kryetari i degës së Partisë Demokratike për rrethin e Gjirokastrës, Altin Çomo ka preferuar që këtë ditë të veçantë t'a ndajë me rivalët e tij politikë, kryetarin e degës së Partisë Socialiste, Florian Hysi. Të dy liderët lokalë ndjekin nga televizori deklaratat e përfaqësuesve të shtetit. Më në fund e arritën qëllimin tonë, shprehet Çomo, ndërsa socialisti Hysi ja kthen: Fitorja është e përbashkët. Që të dy janë të rinj në moshë, por që njohin mirë historinë e vendit të tyre dhe për një gjë janë të bindur: në aderimin e Shqipërisë në strukturat ushtarake dhe politike të NATO-s, kanë meritë të gjithë shqiptarët. Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, del me një deklaratë për shtyp, dhënë nga  zëdhënësja, ku deklaron se, Shqipëria gjatë 17 vjetëve të fundit ka bërë progres në reformat, ekonominë, sigurinë dhe e meriton plotësisht të jetë anëtare me të drejtat e plota në strukturat euroatlantike. Shqipëria në NATO nuk është tashmë një ëndërr shumëshekullore, prandaj të gjithë së bashku të ecim me ritmet e vendeve të tjera anëtare. Ish-oficeri i Ushtrisë për 20 vjet, Enver Llakaj, tashmë kryetar i Ushtarakëve të Liruar, është befasuar nga ndryshimet e politikave properëndimore të shqiptarëve. Ai kujton se kur ishte i ri dhe në detyrë, politika komuniste e asaj kohe orientonte për qëndrim anti NATO."Vazhdimisht, udhëheqësit e asaj kohe na bënin propagandë se kjo strukturës ndërkombëtare ushtarake mbronte me besnikëri kapitalizmin, shprehet ai. Llakaj, i cili njihet nga komuniteti gjirokastrit si patriot, thotë plot sinqeritet se, "po i prek këto ndryshime në një moshë të thyer, ndaj dua që fëmijët e mi dhe gjenerata e re të gëzojnë jetën, frytet e anëtarësimit, ashtu si bashkëmoshatarët e tjerë në mbarë Europën".
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›