E Hënë, 2 Nëntor 2026

Durres/ Frika nga stuhia detare emigrantët anulojnë ardhjen

29/12/2004  Dje mbërritën katër tragete. Dy të tjerë erdhën me 24 orë vonesë

DURRES - Qindra emigrantë, të cilët kishin vendosur të kalonin pushimet e Vitit të Ri pranë familjeve të tyre, janë detyruar të anulojnë udhëtimet. Ndryshe nga ç’pritej

në fillimin e kësaj jave, tragetet që janë nisur nga portet italiane drejt atij të Durrësit kanë pasur shumë më pak udhëtarë. Megjithëse dje janë ankoruar në mëngjes katër tragete të linjës Bari-Durrës, vetëm trageti “Flaminia” ka pasur kapacitetin e shfrytëzuar nga emigrantët, ndërsa tre të tjerë kanë zbritur në sheshin e trageteve shumë pak udhëtarë.

Emigrantët anulojnë

ardhjen në Shqipëri

Agjencitë turistike nuk kanë pranuar të komentojnë asgjë rreth këtij fakti, ndërsa dhjetëra familjarë janë shprehur se të afërmit e tyre, që kishin prerë prej shumë kohë më parë biletën për të lundruar të hënën, e kanë shtyrë atë. Madje thuhet se kryesisht emigrantë me familje në Itali, por edhe vende të tjera perëndimore, kanë njoftuar të afërmit se nuk do të vinë në Shqipëri për pushimet e Vitit të Ri. Të njëjta deklarime kanë pohuar se emigrantët kanë bërë përpjekje për të marrë udhëtimin në linjë ajrore në një nga ditët e mbetura të këtij viti, por që ka qenë e pamundur, pasi nuk ka pasur vende të lira dhe se prenotimi i biletave është bërë së paku 3 javë më parë.

Në sheshin e trageteve dje kanë mbërritur vetëm 1745 udhëtarë të zbritur nga katër tragetet e linjës Bari- Durrës, ndërsa pasdite pritet të ankorohen edhe dy tragete të tjerë, të cilët duhet të kishin hyrë në portin e Durrësit ditën e diel. Shkak për rënien e fluksit të ardhjes së emigrantëve në Shqipëri në linjë detare është bërë frika dhe pasiguria. Stuhia detare, e cila ka regjistruar një det me 9 ballë dhe erë 20 m/sek që ka përfshirë të gjithë Adriatikun, ka detyruar emigrantët të tërhiqen për të mos rrezikuar. Edhe sinjalet e fundit për përkeqësim tjetër të motit kanë ndikuar në bindjen për të anuluar udhëtimet. Fakti që shumë tragete të linjave nuk kanë të gjitha pajisjet e plota dhe të domosdoshme për të mbrojtur jetën në një rast alarmi detar si dhe pamundësia e porteve tona për t’u ardhur në ndihmë në kohën e duhur trageteve në lundrim ka qenë një arsye tjetër bindëse tek emigrantët që të mendojnë dhe vendosin për të kaluar Vitin e Ri në tokë të huaj, ndonëse jashtë dëshirave të tyre.

Bllokohet lundrimi i anijeve të transportit Të gjitha anijet e transportit të mallrave si dhe anijet e peshkimit janë urdhëruar të ndërpresin lundrimin në det deri në një urdhër të dytë. Oficeri i shërbimit në kapitenerinë e portit të Durrësit, Flamur Rakimi, ka deklaruar se një vendim i tillë është marrë pasi pritet që të përsëritet e njëjta situatë si dhe dy ditë më parë. Rakipi pohon se anijet që kanë qenë në lundrim janë ankoruar në port me vonesë, por se nuk kanë pasur probleme. Deti, sipas oficerit të shërbimit,

ka ndryshuar drejtimin e erës nga jugperëndim në juglindje, ndërsa forca e tij është 8 ballë. Moti parashikohet të jetë i tillë edhe për ditën në vijim, ndërkohë që gjashtë tragete do të lundrojnë sot drejt brigjeve italiane.

Vonesa deri në 24 orë

DURRES - Dy tragete, njëri i linjës Trieste-Durrës dhe tjetri i linjës Ankona-Durrës, kanë regjistruar vonesat më të gjatë në mbërritje që mund të kenë ndodhur prej shumë

vitesh. Trageti “Riviera del Conero” duhej të hidhte

spirancat në sheshin e trageteve në pasditen e së hënës, duke planifikuar edhe vonesat, ndërkohë që vetëm pas mesditës së martë trageti është dukur në radën e Durrësit. Trageti thuhet se ka kërkuar strehim në portin e Dubrovnikut, ashtu si dhe trageti tjetër për t’i shpëtuar detit të trazuar si rrallëherë. Të njëjtin fat ka pasur edhe trageti i linjës Trieste–Durrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›