E Hënë, 2 Nëntor 2026

VLORE/ Emigrantët 20 orë në det

28/12/2004  

VLORE/ Vonohen tragetet nga stuhia në det

VLORË – Tragetet e lijës Brindizi-Vlorë, kanë mbërritur me vonesë në portin e Vlorës mbrëmjen e së hënës, si pasojë e furtunës detare. Rreth 2 mijë emigrantë, që ndodheshin në tragetet “Skënderbeu” dhe “Aleksandros”, kanë qëndruar në bordet e tyre përreth 20 orë në pritje të ankorimit të tyre në portin e Vlorës. Tragetet ishin nisur që një ditë më parë nga porti i Brindizit dhe mbërritën vetëm rreth orës 17.00.

Nga dyndja e madhe, nuk kanë munguar edhe incidentet, ku veç shtytjeve e konflikteve, ka pasur edhe vjedhje të emigrantëve. Mjaft emigrantë janë ankuar në polici për sendet personale që u kishin humbur.

Në kushtet e rënda të krijuara nga fluksi i madh në port, autoritetet e tij kanë operuar deri në orët e vona të darkës. Vetëm rreth orës 21.00 është normalizuar gjendja dhe udhëtarët kanë lënë portin.

Sipas njërit prej doganierëve, mësohet se është rasti i parë që dogana e Vlorës operon në këtë orë të vonë. Nga ana e policisë së Vlorës janë marrë të gjitha masat që të mos kishte incidente, ndërsa kordona të gjata automjetesh policie, kanë shoqëruar emigrantët deri në dalje të qytetit.

Anastas Goga, shefi i portit të Vlorës, bënë të ditur se nga ana e kapitenerisë së portit është qëndruar në gatishmëri, ndërsa është komunikuar me tragetet e linjës së Italisë, të cilave u është rekomanduar të udhëtojnë në drejtim të Greqisë sepse vetëm andej dallgët e era ishin disi më të buta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›