E Hënë, 2 Nëntor 2026

KESH: Ja lagjet „fatkeqe“ të Tiranës

28/12/2004  KESH-i nuk është tërhequr nga vendimi i vet për të ndërprerë furnizimin me energji në zonat që janë debitore. Për këto zona, drejtori i shitjes ka pranuar se është aplikuar dhe dënimi kolektiv, duke lënë pa energji edhe ata konsumatorë që kanë qenë korrekt në pagimin e detyrimve. “Në zonat ku arkëtimi është mbi 30%, ne kemi bërë ndërprerje individuale, ndërsa në zonat ku arkëtimi arrin te 2-3% për një periudhë të gjatë të vitit, atëherë jemi detyruar të bëjmë ndërprerje”, ka thënë në lidhje me ndërprerjet kolektive, Blendi Dalipi, drejtor i Shitjes te KESH-i. Kështu zona të tëra periferike në kryeqytet rrezikojnë të mbeten pa drita natën e Vitit të Ri, në rast se nuk nxitojnë të paguajnë faturën gjatë këtyre dy ditëve. Drejtori i Shitjes në KESH, ka kujtuar se “në të gjithë zonat e saj të shpërndarjes, Korporata Elektroenergjetike iu ka bërë të ditur të gjithë konsumatorëve të saj, që, pavarësisht nga festat e fundvitit, nëse nuk i kanë paguar faturat, do t’iu ndërpritej energjia elektrike”, ka deklaruar Dalipi. Kjo gjë ka ndodhur tashmë në disa zona të vendit, ku konsumatorët nuk iu përgjigjën detyrimit për të paguar. “Ndaj kemi bërë ndërprerje në të gjitha zonat debitore problematike të vendit, si në Durrës, në zonën e Kënetës dhe Spitallës; në periferinë e Tiranës, Kodër Kamëz, Instituti Bujqësor, Babrru, Breglumas, fusha “Misto Mame”; në zonën e veriut, Pukë; Mamurras, Burrel etj.”, ka sqaruar drejtori i shtypit në KESH, Dalipi, në lidhje me mungesën e dritave prej disa ditësh në zona të tëra të vendit. Kështu duket se të gjithë ata që kanë neglizhuar të paguajnë të paktën mbi 30 për qind energjinë elektrike dhe është regjistruar si zonë debitore, do të paguajë duke mbetur në errësirë natën e ndërrimit të viteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›