E Hënë, 2 Nëntor 2026

Për herë të parë Marubi, Pici e Jakova së bashku në një kalendar

28/12/2004  INTERVISTE/ Flet Semiha Osmani: Ja si lindi ideja e kalendarit

SHKODER - Fototeka Kombëtare Marubi boton, për herë të parë, “Kalendari 2005” me foto të viteve 1875-1938, nga fondi i Marubëve, Jakova dhe Pici. Kalendari ka dalë këto ditë në shitje me një çmim jo fort të lirë, 12 mijë lekë të vjetra. Ja si shprehet për gazetën “Metropol” drejtoresha e

Fototekës Marubi, Semiha Osmani, e cila ishte edhe ideatorja e këtij kalendari.

Si ju lindi kjo ide?

Eshtë një ide që e ëndërroja prej vitesh, por që u realizua vetëm tre muajt e fundit. Më përpara nuk u realizua se në Shkodër nuk gjeta financues. Tani kjo u mundësua nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës.

Sa ka kushtuar ky kalendar?

Kalendari ka kushtuar 5 milonë e 800 mijë lekë të vjetra, ka 1000 kopje tirazh, ka 13 faqe dhe 12 fotografi. Në treg ai është në shitje me një vlerë prej 12 mijë lekësh të vjetra. Puna për botim ka nisur në muajin shtator dha ka mbaruar në fillim të dhjetorit.

Çfarë fotosh përmban kalendari?

Kalendari përmban dy foto të Shan Picit, të viteve 1933, tri foto të Dedë Jakovës, të viteve 1932 dhe të tjerat janë foto të Gegë Marubit. Por e veçanta e këtij kalendari është se fotot e Picëve dhe Jakovës publikohen për herë të parë në këtë kalendar. Kalendari ka përfshirje kombëtare të fotove, pasi aty janë foto të qendrës së Tiranës më 1938, nga Gegë Marubi, të plazhit të Durrësit, po 1938 dhe të plazhit të Shëngjinit. Të gjitha fotot tregojnë urbanistikën e qyteteve të Shkodrës, Durrësit, Tiranës dhe Shëngjinit. Në botimet e tjera që do të bëjmë vitet e ardhshme do të fusim etnografi dhe peizazhe përveç infrastrukturës dhe sërish kalendari do të ketë motiv kombëtarë.

Ndërkohë në çfarë gjendje ndodhet Fototeka Kombëtare Marubi?

Emergjente do të thoja është që kjo fototekë të ketë një ndërtesë të re, më të madhe, pasi këtu është tepër ngushtë. Për sa i përket kushteve brenda janë të përkryera, pasi KESH na ka ofruar drita 24 orë. Në këtë mënyrë, dhomat ku mbahen negativët, mbahen me kondicionerë në kushte tepër të mira.

Çfarë fotosh apo negativësh ka pasuri kjo fototekë?

Mendoj se kjo fototekë është krenari për Shqipërinë. Në këtë fototekë ndodhen 250 mijë negativë të Marubëve, Picit dhe Jakovës dhe 250 poza të Nënshatit. Të gjitha ndodhen në gjendje tepër të mirë.

Çfarë periudhe janë këto negativë?

Këto negativë janë nga vitet 1858 deri në 1959. Në këto negativë janë dy luftërat botërore nga Kel e Gegë Marubi; foto të Kraj Nikollës, në Mal të Zi dhe të familjes së tij mbretërore nga Pjetër dhe Kel Marubi; janë negativët e Dedë Jakovës dhe të Shan Picit, të cilat kanë një pasuri të rallë kombëtare.

Aktualisht, çfarë po bën kjo fototekë?

Jemi duke bërë dixhitalizimin e të gjitha negativëve dhe fotove. Deri tani kemi bërë 7 mijë skanime dixhitale nga 1990 deri më 1928. Gjithashtu ne jemi duke parë një nga një të gjitha negativët, pasi secili prej tyre është pasuri dhe ka një domethënie, që do të na ndihmonte shumë për të pasqyruar dhe kuptuar traditën, kulturën dhe historinë e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›