Durrës, Iliria prangos 3 hajdutë të floririt
OPERACIONI/ Policia ka arrestuar shtetasit të cilët vepronin kryesisht në zonën e plazhit të qytetit bregdetar
DURRËS - Operacioni policor i koduar “Iliria” vë në pranga 3 hajdutët e floririt që operonin kryesisht në zonën e Plazhit të Durrësit. Në momentin e arrestimit banda sapo kishte kryer vjedhjen e një banese. Kanë qenë orët e pasdites kur policia ka ndaluar rrugës një të dyshuar, të cilit i janë gjetur në xhepa një sasi bizhuterish, por pa ditur që të japë shpjegimet e duhura mbi origjinën e tyre. I ndaluari ishte 22-vjeçari Stilian Hyseni nga qyteti i Cërrikut, por që kishte disa vite që jetonte në plazhin e Durrësit. Pas gjurmimit të shokëve të vet, me të cilët rrinte vazhdimisht dhe marrjes së një denocimi për vjedhjen e një banese, policia e sektorit të plazhit në lagjen nr.13 ka arrestuar edhe 2 miqtë e tij: Ervis Xhafanin, 27-vjeçar, si dhe 21-vjeçarin Enver Thaçi, lindur në Kavajë e banues në plazhin e Durrësit. Pas ndalimit dhe kontrollit personal që iu bë, në tavolinën e punonjësve të policisë u grumbullua një inventar i madh bizhuterish floriri, si: unaza, byzylykë, vëthë, varëse, vlera e të cilave ishte mbi 150 000 lekë. I gjithë ky inventar pajisjesh prej floriri ishte vjedhur në një banesë që i përkiste shtetasit I.Doku. Grupi i përbërë prej së njëjtës treshe dyshohet se kishte kryer edhe rreth 4 vjedhje në banesa të ndryshme që kishin mbetur të pazbardhura. Pas ndalimit të tyre dhe ushtrimit të kontrolleve në banesa, u gjet edhe një objekt i vjedhur në një supermarket të plazhit. Vjedhja qe realizuar prej tyre më 25 nëntor në një supermarket të plazhit dhe ishte një elektromotor që, sipas vlerësimeve paraprake, arrinte në një vlerë prej 150 000 lekësh. Shifër kjo që nuk u solli fat vjedhësve në tentativën e dytë të vjedhjes së floririt. Sendet që iu gjetën autorëve në momentin e kapjes nga policia janë bllokuar në cilësinë e provës materiale. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer dhe disa vjedhje të tjera lokalesh e banesash të ndodhura kohët e fundit në zonën e plazhit në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë. Policia ka konfirmuar se po vazhdon puna për dokumentimin e tyre dhe kapjen e autorëve të tjerë.