Durrës/ Kanadaja, interesim për bashkëpunimin me portin detar
Kryetari i Senatit të Kanadasë, Noėl Kinsella dhe delegacioni që ai drejton, vizituan sot paradite portin detar të Durrësit, ku kanë shprehur interesimin e veçantë mbi bashkëpunimin e ardhshëm dhe lidhjet mes porteve të të dy vendeve. Drejtori i Autoritetit portual, Eduard Ndreu, tha se delegacioni është ndalur fillimisht në sallën e monitorimit të mjediseve portuale, ku është njohur me investimet e fundit për modernizimin dhe sistemin e sigurisë portuale. Sipas Ndreut, senatorët nga Kanadaja kanë shfaqur interesim të veçantë për mundësinë e lidhjeve detare veçanërisht mes portit të Halifaksit në Kanada dhe portit të Durrësit. Ndërkohë nga pala shqiptare është shprehur interesi për bashkëpunim të frytshëm mes dy vendeve në fushën e transportit detar. Gjatë vizitës në portin më të madh të vendit, z. Kinsella shoqërohej nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe zëvëndësministrja e Mbrojtjes, Zana Xhuka. Delegacioni i Senatit kanadez, i drejtuar nga kryetari Noėl Kinsella, po zhvillon një vizitë 3 ditore në vendin tonë me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë kësaj vizite zoti Kinsella është takuar me autoritetet më të larta shtetërore shqiptare. Porti i Durrësit ka një kapacitet vjetor përpunimi prej 5 milion ton mallrash dhe 1.2 milionë udhëtarë. Gjatë viteve të fundit qeveria shqiptare dhe disa nga bankat e rëndësishme evropiane kanë investuar mbi 20 milion euro për ndërtimin e një terminali të ri udhëtarësh, për modernizimin e infrastrukturës së brendshme si dhe për përmirësimin e sistemit të sigurisë.
...