Thirreni shqip!
Psenë e luftës në Kosovë, gjuhësisht e ka përcaktuar saktë qysh atëherë, një gazetar britanik, duke pyetur: si do të thirret ky vend, me O apo me A, në fund të emrit? Paketa e Marti Ahtisaarit, ka detyruar zgjidhjen, me mbijetesën e shoqërisë shumetnike. Kjo do të thotë që, shqiptarët ta quajnë dheun e tyre, siç e kanë thirrur jetë e mot, Kosova. Serbët t’i thonë, siç shqiptohet në nashki, Kosovo. Por, pas dhjetë vitesh pa pushtuesin shekullor, pas dhjetë vitesh në mëkëmbje të shtetit, pas gati dy vitesh pavarësi, pas njohjes së Republikës nga 63 shtete anembanë botës, është bërë e pakuptimtë, madje habitëse, edhe e padrejtë që, tek i drejohen popullit, të huajt i flasin shumicës absolute me gjuhën e stërpakicës, me terminologjinë politiko - gjeografike të kolonializmit serb - Kosovo! Kurse emërtimit të përgjithshëm të popullit i mëshojnë me emrin Kosovars, dhe jo Kosovors, për ta përputhur me Kosovo! Me thirrjen e emërvendit vetëm Kosovo, ndër shqiptarë nxitet ndjesia e mosçlirimit gjuhësisht dhe shformimi me “harresën shqiptarë”, për të formuar popullin multietnik Kosovars. Serbia, të paktët e saj, nuk i thërret Kosovars, por vetëm serbë, të një territori unik, dhe pakica serbe nuk vetëthirren ndër veti kosovarë, por serbë. Për shqiptarët dhe serbët, kjo është krejt e zgjidhur, nga që është diçka e përfunduar sipas përkatësisë etnike. Ata që e pështjellojnë keq çështjen mbi emërtimin, paraluftën me pasçlirimin, që gazetari britanik me mprehtësi pati paralajmëruar qysh herët, janë të huajt, politikanë, diplomatë, analistë e të tjerë po si ata, të cilët e mbajnë Kosovën gjuhësisht pjesë të territorit serb. Për fat të keq, edhe përkthyes shqiptarë, të Shqipërisë, por dhe nga Kosova, tek përkthejnë për ta, nuk e thonë emrin e vendit - Kosova, por - Kosovo, për të qenë politikisht korrekt me ndërkombëtarët.
Ky është gabim që duhet ndrequr. Le të kërkohet që, ndër shqiptarë apo kur i drejtohen shtetit të Kosovës, të huajt ta quajnë vendin - Kosova. Në gjuhën e tretë - anglisht, dhe të tjera gjuhë të huaja, nëpër mbledhje, shkresa e logo, të lihet menjanë emërvendi sipas pushtuesit e, gjithëkund të thuhet Kosova. Duke mos pasur mundësinë e një asnjanësie, të një gërme që nuk është as O e as A, Kosova të thirret prej të huajve në gjuhën e shumicës - Shqip, e jo në gjuhën e stërpakicës - Serbisht! Teknologjia kompjuterike dhe dembelizmi gjuhësor i shumë shqiptarëve, mund të çojnë në një ndryshim gjuhësor, të përfundimit të gërmës “ë” në “e”, por shqiptarët do të vetëthirren gjithmonë shqiptarë dhe Kosova nuk do të thirret kurrë prej tyre Kosovo, për korrektesë politike! Atëherë, përse gjithë ky stërmundim, aspak i vogël e plot dhjetë vjet, për t’i detyruar shqiptarët të dëgjojnë ende thirrjen e atdheut në serbisht e të mos jenë qortues vetëm nga mirësjellja ndaj aletatëve të mëdhenj? Shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë, nuk janë dy popuj - dhe nuk do të bëhen asnjëherë dy - por janë një popull i ndarë nga pushtimi dhe kanë dy shtete, por që sëbrendshmi të dy gjysmat jetojnë, mendojnë e zhvillohen si një. Janë të përhanun disa, edhe në Shqipëri apo Kosovë, le më nëpër botë apo dashakeqës të kombit, që zhurmojnë dallime duke i kërkuar ato si gjilpërën në mullar të kashtës, të cilat i futin në altoparlantin e mediave dhe i përhapin larg e kahdo, për të ngritur murin e ndarjes. Po të jetë se i referohemi gjuhës 1972, për shkaqe shumë të ditura e të shtjelluara, mund të thuhet që, më mirë e flet atë një i shkolluar i Prishtinës se sa një i shkolluar i Shkodrës. Atëherë, t’i kërkojnë dallimet edhe me të e njëherësh të mendojnë, ku ta çojmë Shkodrën, që është këndej kufirit? Toskërishtja labërisht është më toskërisht se toskërishtja 1972. Atëhere, ku ta ndërtojmë murin e dallimit me Lumin e Vlorës e Kurveleshin? Le të heshten gjithë këto marrina, duke e kërkuar “qimen në përpeq”, siç shkruante Gjergj Fishta. Po, i vetmi dallim që shihet të konstruktohet politikisht është që, Kosova të thirret zyrtarisht Kosovo, dhe shqiptarët të shformohen në kombin Kosovars. Këtu është problemi dhe për këtë të flasim, që të mos lejohet dallimi gjuhësoro-politik që synohet, të mos humbet kohë për shndërrimin e së përbashktës në dy veçori, për të paguar pavarësimin me tjetërsimin. Liria u fitua për të thirrur lirisht vetveten dhe vendin. Lajmet shqip qarkullojnë si brenda një rrethi të mbyllur nëpër hapësirën e shqiptarëve, pa dallim e kufij. Rrugët drejt shqiptarëve po bëhen plot 9: Drejt Strugës është. Drejt Dibrës së Madhe po ndërtohet. Drejt Prishtinës është. Drejt Qafë - Prushit në Has është. Drejt Qafë - Morinës në Tropojë do të ndërtohet. Drejt Tuzit në Mal të Zi po ndërohet. Drejt Ulqinit është. Kryministri bëri të ditur se do të ketë edhe hekurudhë drejt Kosovës dhe Strugës. Pyetjes së vështirë, mbi Kosovën shtet më vete apo e bashkuar me Shqipërinë, politikanët dhe gazetarët i përgjigjen dyzash, edhe të vetcensuruar; tek duan të thonë të vërtetën e drejtpërdrejt, bëlbëzojnë pakuptueshëm. Me qartësi të thellë e ka shqiptuar Ibrahim Rugova, i cili ka thënë se, e drejta është që, Kosova të jetë e bashkuar me Shqipërinë, sipas parimit të madh të vetvendosjes, por duke qenë që, kjo nuk është e mundur, populli pranoi kompromisin më të skajshëm - Pavarësinë. Pavarësia nuk është zgjedhja e lirë e Kosovës, por pavarësia ishte zgjidhja e shkëlqyer për të qenë të lirë.
Shteti i ri është më vehte: thirreni shqip, për t’u dhënë të drejtën shqiptarëve e për të përmbyllur çlirimin! Pakica serbe gëzon gjithëçka, deri edhe lutje, sikur ajo të ishte shumicë në Kosovë. Deri më tash edhe emërvendin në gjuhë të huaj, njëlloj si më parë, kur Serbia ishte aty me gjuhë, gjeografi dhe armatë.
...