Sherri në këshill, shtyhet vendimi për të pastrehët
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Mungesa e këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak dhe më pas reagimet e ashpra të qytetarëve ndikuan në shtyrjen e mbledhjes së radhës të këtij këshilli. E përcaktuar si datë dita e djeshme, në rendin e ditës ishin çështje me interes të lartë për qytetarët, si: vendimi për asistencat, ndihmën ekonomike, për të pastrehët dhe së fundmi edhe një titull qytetar nderi. Por mungesa në sallë e një pjesë të konsiderueshme të anëtarëve socialistë bëri që të kërkohet nga ana e të majtëve mosfillimi i mbledhjes. Pas plotësimit të kuorumit, me 23 anëtarë, ndër të cilët vetëm katër të majtë, kreu i këshillit Arben Sinani e konsideroi të hapur mbledhjen. Por mungesa e këshilltarëve shkaktoi nisjen e debateve, të cilat ndiqeshin dhe nga shumë qytetarë që kishin mbushur sallën e këshillit. Ata prisnin të përfitonin asistencat apo të ishin pjesë e listës së të pastrehëve. Shumë prej tyre reaguan mjaft ashpër ndaj këshilltarëve prezent në sallë, por edhe ndaj kreut të Bashkisë. Ata kërkuan prej tyre shqyrtimin e projektvendimit të asistencës dhe njëherazi të të pastrehëve, ku presin të përfitojnë kredi të buta nga fondet e qeverisë 75 familje vlonjate të pastreha. Pasi edhe ndërhyrja e Policisë Bashkiake, nuk bëri të mundur qetësimin e qytetarëve, mbledhja u mbyll nga kryetari i këshillit, Arben Sinani i LSI-së.
Kryetari i këshilltarëve socialistë, Kujtim Sulçe, fajësoi kreun e këshillit dhe politikën e djathtë për ngërçin e radhës në Këshillin Bashkiak. Ai u shpreh se mbledhja nuk ishte njoftuar pasi nuk ishte përcaktuar datë, ndërsa garantoi qytetarët, se këshilltarët e majtë dhe aleatët e tyre do të mblidhen javën e ardhshme për projektvendimet në fjalë. Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika u shpreh për situatën e krijuar se këshilltarët e majtë nuk kanë pasur njoftim të rregullt prandaj nuk ishin paraqitur ditën e djeshme. Ndërsa Laureta Bejkosala, nëpërmjet një deklarate akuzoi këshilltarët e majtë dhe kreun e Bashkisë, se sa herë që është fjala për fonde, nuk hezitojnë në aplikimin e filozofisë së abuzimit dhe shpërdorimit. Ajo denoncoi faktin se në listat e përfitimit të ndihmës sociale dhe të pastrehëve janë emra të cilët militojnë në PS dhe se taksat e vlonjatëve, e fondet e qeverisë konvertohen në shpërblime elektorale për klanin e Gjikës. Gjithashtu të djathtët akuzuan këshilltarët e majtë të cilët kanë mazhorancën në këshill, se nuk paraqiten të miratojnë projektvendime të sjella prej saj në rend të ditës. Pas deklaratave, reagoi edhe kreu i Bashkisë Gjika, i cili i konsideroi të turpshme akuzat e PD-së dhe këshilltarëve të djathtë.
RENDI I DITES
- Asistencat
- Ndihma ekonomike
- Të pastrehët
- Titull qytetar nderi