Shfrytëzohej si prostitutë te “Bandilli”, 2 persona në pranga
KORçE - Dy persona nga qyteti i Korçës janë arrestuar nga policia pasi kanë shfrytëzuar një vajzë për prostitucion. Policia bëri të ditur se ka vënë në pranga dhe dërguar për ndjekje penale 38-vjeçarin Ilir Bandilli dhe 32-vjeçarin Lorenc Kallo, pasi ata akuzohen se kanë shfrytëzuar një 21-vjeçare në një lokal privat si prostitutë. Sipas policisë, dy të arrestuarit, banorë të qytetit të Korçës, akuzohen për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe mbajtje të lokaleve për prostitucion. Sipas të dhënave, 21-vjeçarja me inicialet J.P., nga qyteti i Korçës, është shfrytëzuar si prostitutë në lokalin “Bandilli” në fshatin Drenovë. Ky lokal është në pronësi të shtetasit Ilir Bandilli, i cili sipas hetimeve ka bashkëpunuar me të njohurin e tij Lorenc Kallo për të shfrytëzuar 21-vjeçaren si punëtore seksi. Dy të arrestuarit akuzohen se e kanë detyruar vajzën të prostituojë me klientë që vinin në lokal, duke e mbajtur atë edhe të mbyllur, dhe kjo i ka rënduar ata me akuzën shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese. Pak ditë më parë, policia zbuloi në një lokal të fshati Boboshticë, një tjetër 21-vjeçare e cila shfrytëzohej si prostitutë në tavernë e këtij fshati. Me disa lokale tip tavernash, fshatrat Boboshticë dhe Drenovë tërheqin një numër të konsiderueshëm klientësh, ku policia ka zbuluar tashmë se vajzat që punësohen atje si kameriere shfrytëzohen edhe për qëllime fitimi me anë të prostitucionit nga ana e pronarëve të lokaleve. g.a