E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, Koka e Zheji në krye të listës së LSI

 

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi një takim të zgjeruar në qytetin e Durrësit. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, duke përshëndetur të rinjtë e pranishëm, tha se është Koha për Veprim, pasi papunësia po vjen duke u rritur dhe veçanërisht papunësia për të rinjtë që mbarojnë shkollat dhe nuk dinë ku të shkojnë. Gjithashtu në një takim me kryesinë e LSI-së në Durrës, u vendos që në krye të listës për deputetë në këtë qark të jenë Lefter Koka dhe Artur Zheji. Në takimin me të rinjtë, Meta u shpreh se është Koha për Veprim, pasi çmimet, njëlloj si premtimet boshe të Qeverisë Berisha, po vijnë gjithnjë në rritje. Meta theksoi se pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria ka nevojë që të luftojë varfërinë dhe papunësinë. Gjatë këtij takimi, kreu i LSI-së shoqërohej nga nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho dhe analisti i njohur Artur Zheji, si dhe drejtues të LSI-së në Durrës, Lefter Koka dhe Iljaz Labi. Të rinjtë në LRI nuk janë thjesht fasadë, shtoi Meta, por janë forca që na motivon, jo vetëm për fitore në zgjedhjet e 28 Qershorit, por për ta kthyer në investim për të ardhmen jo vetëm ndaj të rinjve, por edhe për zhvillimin e Shqipërisë. Kreu i LSI-së theksoi se është LSI që do të mund të ndryshojë për mirë jetën e shqiptarëve, që do të mund të luftojë papunësinë dhe varfërinë. “Eshtë Koha për Veprim, tha Meta për t’u ndarë jo vetëm nga njerëzit që e fusin dhe e rikthejnë vendin në krizë, por për t’u ndarë nga politika e 1 Prillit, nga politika që nuk do t’ia dijë për shqiptarët”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›